Ren: BE-ja mund të liberalizojë vizat gjatë këtij viti
Komisioneri i zgjerimit, Oli Ren, duke folur në Parlamentin Evropian, bëri të ditur se liberalizmi i vizave me vendet e Ballkanit mund të ndodhë gjatë këtij viti. Përpara eurodeputetëve, Reni tha se Komisioni Evropian mund të rekomandojë në 6-mujorin e parë të këtij viti heqjen e vizave për disa vende të Ballkanit, nëse ato arrijnë progres në kryerjen e reformave të ndërmarra. Komisioneri Ren tha se pavarësisht problemeve të brendshme në BE, në rast se vendet e Ballkanit kanë ecur mirë me reformat, atëherë liberalizmi i vizave duhet të ndodhë. Konkretisht, para muajit qershor, Komisioni Evropian mund të propozojë heqjen e vizave për disa vende, ndonëse Reni nuk përmendi emra shtetesh, por theksoi Ballkanin Perëndimor si një njësi e përbashkët. Duke marrë parasysh progresin e vendeve të Ballkanit, si në luftën kundër krimit të organizuar, pajisjen e shtetasve me pasaporta biometrike dhe efikasitetin në kontrollin e kufijve etj., ministrat e Brendshëm të BE-së mund të marrin një vendim përfundimtar deri në fund të vitit 2009. “Ne dëshirojmë të çojmë përpara çështjen e udhëtimit pa viza. Kjo është shumë e rëndësishme për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, - deklaroi Ren. Komisioneri evropian tha më tej se perspektiva evropiane nuk do të mbyllet për vendet ballkanike, pavarësisht nga problemet ekonomike të BE-së. Shqipëria, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia janë vende që ende presin për procesin e integrimit.