E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni: Pavarësinë e Kosovës do ta njohin shumë shtete

 

PRISHTINE- Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, bëri të ditur se shteti i ri i Kosovës shumë shpejt do të njihet nga shumë shtete. Pas kthimit nga Nju Jorku, ministri Hyseni deklaroi se “pavarësinë e Kosovës do ta njohin shumë shtete nga rajoni dhe nga Amerika Qendrore e Latine si dhe rajone të tjera”, por nuk ka saktësuar se cilat janë ato shtete. Po Hyseni shprehu besimin se njohja e Kosovës do të ndodhë edhe para se të votohet rezoluta serbe në Asamblenë e Përgjithshme. Hyseni tha se gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork ka arritur t'i bindë bashkëbiseduesit për nevojën e njohjes së Kosovës dhe për pasojat e nismës serbe. Por në anën tjetër, ai tha se rezoluta e Serbisë për të kërkuar mendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë, do të mund të sigurojë votat e mjaftueshme në KB. "Sistemi i votimit në Asamblenë e Përgjithshëm është i dizajnuar që çdo rezolutë të kalojë, edhe rezoluta serbe mund të kalojë", tha Hyseni, duke shtuar se edhe nëse kalon rezoluta nuk do të ketë pasoja për Kosovën në periudhën afatgjate. Por sipas tij, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të marrë një vendim të drejtë "hedhja poshtë e kërkesës serbe".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›