E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mira Meksi, në kërkim të së kuqes së Onufrit

 

Shumë janë mahnitur prej shenjtorëve të Onufrit. Ka diçka shtangëse, të pashpjegueshme brenda atyre ikonave... Pas shumë dilemash, e gjetën. Është e kuqja! Një e kuqe si asnjë tjetër. E pakrahasueshme, e paarritshme. Janë munduar shumë studiues ta zbërthejnë formulën, por duket se mjeshtri ikonograf e ka marrë sekretin me vete. Ky mister, duket se ka qenë edhe shtysa e parë për shkrimtaren Mira Meksi, e cila sapo ka sjellë për lexuesin romanin e saj të ri “E kuqja e demave”, një botim i shtëpisë botuese “Ideart”. Nga ballot me maska në Versajë, autorja na çon në Spanjë, në një qytet legjendash, ku murgjit “Luftëtarë kundër harresës së Ikonës” kanë vite që punojnë për deshifrimin e misterit që vesh të kuqen e fuqishme të ikonave të Onufrit. Në një realitet ku gërshetohen tradhtia, urrejtja, rivaliteti, Meksi përshkruan lojën e jetës, ku ndeshen dashuria dhe vdekja. Një roman me ngjyra të gjalla, që të shtyn të mendosh vazhdimisht për të kuqen e Onufrit. Ashtu sikurse edhe tek romani i mëparshëm i autores, “Porfida - Ballo në Versailles”, edhe tek “E kuqja e demave” rrëfimi jepet në vetën e parë. “Dhënia e rrëfimit në vetë të parë nuk është për arsye retorike, por poetike, që do të thotë shprehimisht se lidhet me një përvojë, madje, mëton që të nxjerrë në pah pikërisht këtë përvojë, përvojën e drejtpërdrejtë që autori pati në kapërcyell të vitit 1990 gjatë qëndrimit në një shtëpi përkthyesish në Spanjë”, shkruan përkthyesi Shpëtim Doda në parathënien e librit. Ai shpjegon se ngjarjet e romanit zhvillohet në Spanjë, porse, njëlloj siç ndodh në rastin e trevave shqiptare në faqet e “Porfida - Ballo në Versailles”, fjala është për një Spanjë të ndryshme nga ajo që hasim rëndomtazi nëpër faqet e atlaseve apo nëpër syprinat e hartave të gjeografisë fizike; është një Spanjë që e peshkojmë më së shumti në syprinën e “hartëzës” së ngjizur nga vetë autori-rrëfimtari, që këtu do të thotë shprehimisht se romani na zhvendos në një Spanjë tjetër, në një Spanjë të kujtuar, të jetuar dhe të përjetuar. “Sa herë lëvizja gjeografive të huaja, e pata bërë zakon të përdorja hartëzën time, të cilën e kisha ngjizur vetë me shenjëza dhe me përkime përgjatë ditëve, javëve dhe muajve që pata jetuar atyre viseve”, - shkruan diku autorja. I gjithë romani ngërthen në vetvete strukturën e ikonës, elementët e së cilës herë janë mjaft të dukshme për lexuesin dhe herë të fshehura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›