E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni i kërkon OKB ndryshimin e rezolutës 1244

Nju Jork Ministri i Jashtëm i Kosovës takon Ban Ki moon

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni takoi dje në Nju Jork Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon. Ministri Hyseni dhe sekretari Ki-moon kanë folur për një gamë të gjerë çështjesh në lidhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, praninë e UNMIK-ut, zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, njohjet, bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në kontekstin e ri që është krijuar pas dhënies së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në këtë takim, shefi i diplomacisë kosovare ka kërkuar zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Në këtë kontekst, ai ka thënë se kërkesa për zëvendësim të Rezolutës 1244 nuk drejtohet kundër UNMIK-ut, i cili ka kryer një mision të mirë në Kosovë, porse kërkesa mbështetet në ndryshimin rrënjësor të rrethanave pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pas mendimit të GJND-së. Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka thënë se zëvendësimi i Rezolutës është një çështje që duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit, i cili është kompetent për të vendosur për këtë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›