Makinat u shitën me çmim të reduktuar për zyrtarët
Ligji për funksionimin dhe rregullimin e transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë u krijoi mundësinë 374 zyrtarëve shtetërorë që të marrin pjesë në tenderin e blerjes së makinave shtetërore. Afati për këta persona ka qenë 5 maj 2010. Sipas vendimit, zyrtarët e lartë dhe deputetët, të cilët humbën të drejtën e përdorimit të një makine shtetërore, patën mundësi t’i blejnë këto makina me më pak se 50 për qind të vlerës, si edhe kanë të drejtën ta shlyejnë makinën me këste përgjatë disa viteve dhe me normë interesi zero. Për më tepër, këta zyrtarë nuk do të kenë nevojë të hyjnë në garë, pasi makina në shitje do t’u ofrohet përkundrejt çmimit fillestar para se të hidhet në ankand. Ligji për funksionimin dhe rregullimin e transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë u ka hequr të drejtën e përdorimit të automjetit shtetëror një serie të gjatë zyrtarësh të lartë. Por, zyrtarët e lartë, njëkohësisht edhe përdoruesit e dikurshëm të makinave të shtetit, tashmë janë kthyer në pronarë të ligjshëm të makinave shtetërore.
çmimetAutoveturat shtetërore që ofrohen për shitje kanë dalë tashmë në ankand. Afati për të paraqitur ofertat për në ankand ka qenë deri më 5 maj, i publikuar nga Ministria e Financave. Makina të tipave të fundit, si “Tuareg”, fuoristradë “Land Rover”, apo “Mercedes Benz”, prodhimi i vitit 2000, mësohet se janë shitur nga 1000-3500 euro. Kryeministria dhe të gjitha ministritë e linjës kanë nxjerrë në shitje makinat. Të gjitha ministritë i kanë mbyllur procedurat e parablerjes, përveç Ministrisë së Brendshme. Pjesa dërmuese e zv.ministrave të kabinetit “Berisha” kanë përfituar nga ky vendim, duke përvetësuar makinat e shtetit kundrejt një çmimi shumë larg kostos reale të vlerës së tregut. Me reduktimin e shpenzimeve të administratës, duke hequr makinat për zyrtarët e lartë, përjashtuar Presidentin, Kryeministrin, ministrat dhe gjykatësit, buxheti i shtetit kursen 2.5 miliardë lekë, por referuar udhëzimit të Ministrisë së Financave pritet të përfitojë rreth 15 milionë euro nga ankandi për shitjen e 3700 makinave shtetërore. Nuk është e qartë mënyra se si do të grumbullohen 15 milionë euro, ndërkohë që makinat shiten nën kosto dhe shumë lirë për atë kategori zyrtarësh që guxuan të parët të përfitojnë nga ligji. Në të gjithë administratën janë shitur makinat shtetërore, përveç atyre të ministrave. Në këtë mënyrë është reduktuar numri i shoferëve për secilën ministri dhe të gjithë zv.ministrat kanë përfituar të drejtën për të parablerë me çmim të leverdishëm makinat që kanë qenë nën administrimin shtetëror, duke u kthyer në pronarë të tyre. Të gjitha automjetet e grumbulluara nga ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të tyre janë transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit për t’u shitur me ankand, ku e drejta e parablerjes sipas ligjit u takon deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtorëve. Zyrtarëve të lartë dhe deputetëve, të cilët humbën të drejtën e përdorimit të një makine shtetërore, iu ofrua mundësia për t’i blerë këto makina me çmim më të lirë. Kategoritë që patën të drejtë parablerje të makinave shtetërore janë deputetët, zv.ministrat, këshilltarët e Presidentit e Parlamentit dhe një kategori e rëndësishme drejtorësh. Po kështu, sipas ligjit për funksionimin dhe rregullimin e transportit të funksionarëve publikë, kryetari i ILDKP-së, drejtuesi i Forcave të Armatosura, avokati i shtetit dhe prefektët kishin të drejtën e parablerjes së makinave shtetërore. Vetëm 374 zyrtarë patën të drejtën e parablerjes, ndërkohë që janë rreth 3700 automjete që janë grumbulluar në rezervën e shtetit për t’iu nënshtruar ankandit.
#