Peçi dhe Karamuço qëndruan pas mbarimit të mandatit
Pretendimet e fundit të Partisë Demokratike lidhur me përfundimin e mandatit të kreut të Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimit të Presidentit të Republikës duket të jenë një jehonë e tensionit politik dhe jo aq përkushtim juridik. Në funksion të këtij arsyetimi flet precedenti i krijuar edhe më parë për këtë problem, por që në ndryshim nga sot, është përcjellë shumë më qetë dha pa probleme nga PD. Kështu, në vitin 2006, përfundimi i mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Alfred Karamuço dhe Kristofor Peçi është kaluar në heshtje të plotë, për arsye të marrëdhënieve cilësisht të ndryshme mes kreut të shtetit dhe shumicës. Në këtë kuadër mjafton të kujtohet se mandati i Peçit përfundonte në dhjetor të vitit 2006 dhe dekreti për zëvendësimin e tij daton shkurtin e 2008-s. 13 muaj në detyrë jashtë mandatit duket të mos kenë pasur vëmendjen e duhur nga PD, e cila së fundmi ka kaluar në një sulm të përditshëm ndaj një Presidenti që po përsërit veten në këtë drejtim. Për më shumë që asokohe, pengesë për zëvendësimin e dy anëtarëve u bë jo refuzimi i shumicës, por mosdepozitimi në Kuvend i emrave të rinj nga zyra e Presidencës, e cila konsumoi me konsensus, të njëjtën procedurë për të cilën sot akuzohet mjaft ashpër. Për të plotësuar sfondin në fjalë është me vend të kujtohet edhe qëndrimi i opozitës së atëhershme, e cila atëherë kërkoi konsultim për emrat e rinj, i cili nuk u bë. Për këtë arsye, precedenti në fjalë, që lidhet me dy emra të njohur të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të Drejtësisë, dëshmon për prapavijën politike të asaj çfarë ndodh sot, kur PD ka bërë të ditur përgatitjen e një ligji organik për Presidentin e Republikës. Kjo jep vetiu shkas të mendohet se ndërhyrjet me ligj që po parapërgatiten, synojnë disiplinimin e prerogativave presidenciale në përzgjedhjen e emrave që kërkojnë vendet vakante në institucione me rëndësi.
#