E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers dhe Borchardt, takim lamtumire me Berishën

Ambasadorët e SHBA dhe Gjermanisë mbyllim mandatin

Kryeministri Berisha zhvilloi dje dy takime lamtumire me ambasadorët të cilët kanë pasur një peshë të veçantë gjatë mandatit në Tiranë. Dje paradite, kreu i qeverisë zhvilloi takimin e fundit formal me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, John Withers, me rastin e përfundimit të mandatit si ambasador i SHBA në Shqipëri. Ndonëse muajt e fundit mes Berishës dhe Withers ka pasur qëndrime të ndryshme për çështje të njëjta, kreu i qeverisë shprehu dje mirënjohjen, për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme, që SHBA i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe. Kreu i qeverisë e vlerësoi SHBA-në e përfaqësuar nga Withers në Tiranë, si një mik, aleat dhe partner strategjik të shqiptarëve. Theks të veçantë, kreu i qeverisë vendosi në ndihmën e madhe të amerikanëve në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një moment historik, si ngjarjen më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të sigurisë së Shqipërisë, pas shpalljes së pavarësisë. Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrit, nga ana e tij Withers pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen, theksoi se largohet nga Shqipëria i lumtur, që Shqipëria ecën e sigurt drejt së ardhmes më të mirë. Po kështu, ambasadori vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe politikave të saj konstruktive, të moderuara dhe miqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon. Po dje, kreu i qeverisë priti në një takim lamtumire edhe ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Berndt Borchardt me rastin e përfundimit të mandatit të tij. Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin gjerman për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve dhe vlerësoi kontributin e tij në forcimin e zgjerimit e lidhjeve të gjithanshme dhe marrëdhënieve të ngushta të miqësisë e bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve. Nga ana e tij, Borchardt falënderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare gjate kësaj periudhe. Më tej, në takim, u rikonfirmua fakti se gjatë kësaj periudhe, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë shënuar progres dhe arritje të reja në shumë fusha, si në atë të arsimit, në bashkëpunimin në fushën ekonomike e financiare, në fushën e energjetikës dhe infrastrukturave të lidhura me të, por edhe në kuadrin shumëpalësh në veçanti në kuadër të NATO-s dhe integrimit europian të Shqipërisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›