E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet në pus e moshuara, vdes në spital



LEZHË - Një 70 vjeçare nga lagja “Drita” e qytetit të Mamurrasit është hedhur në pus të martën dhe megjithe ndihmën e dhënë, ajo nuk ka arritur të mbijetojë. Zëdhënësja e policisë së Lezhës, tha dje se “70 vjeçarja, Dava Tusha është hedhur në pusin e oborrit, në një thellësi rreth 11 metra. Asaj i është dhënë ndihma e parë duke e dërguar në spitalin e Laçit, por nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka gjetur vdekjen”. Grupi hetimor, i cili ka mbërritur në vendngjarje, po punon për të evidentuar shkaqet. Materialet i kaluan prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për hetime të mëtejshme.

Denoncon bashkëshortin për dhunë, nisin hetimet

DURRËS – Ka vendosur për t’i dhënë fund keqtrajtimeve të kryera nga bashkëshorti i saj, duke kërkuar ndihmën e policisë. Burimet zyrtare të komisariatit të Durrësit bëjnë të ditur se të hënën pasdite, shtetasja E.Xh., 34-vjeçe, ka bërë kallëzim penal pranë Seksionit për Mbrojtjen e të Miturve e Dhunës në Familje ndaj bashkëshortit të saj Artur Xhura, lindur dhe banues në lagjen Nr. 12 Durrës. E dhunuara pretendon se më datë 07. 06. 2008, por edhe më parë, është dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshorti i saj në mënyrë sistematike. Menjëherë pas denoncimit kanë nisur hetimet për 40-vjeçarin Xhura. “Nga ana jonë u kryen veprimet e para hetimore; u plotësua kërkesë – padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe materialet në ngarkim të shtetasit Artur Xhura iu kaluan për ndjekje Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës”, - thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Urdhri, tren special për pelegrinët e Shna Ndout

DURRËS - Mbi 25 mijë besimtarë kanë shfrytëzuar trenin special të linjës Shkodër-Laç, për të ndjekur ritualin e të martave të Shna Ndout në kishën e njohur të Laçit. Ndërkaq, për festën e madhe fetare të 13 qershorit Drejtoria e Hekurudhave të Shqipërisë pritet të transportojë me këtë tren mbi 4500 udhëtarë-pelegrinë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës Shqiptare, bënë të ditur se që nga muaji mars një tren special me 8-10 vagona është vënë në dispozicion të besimtarëve katolikë në zonën e Shkodrës. Gjatë ritualit të 13 të martave të shenjta, i cili përfundon të martën, treni special Shkodër – Laç që nisej përkatësisht në orën 05.55 dhe kthehet drejt Shkodrës në ora 13.00, ka transportuar drejt Laçit mesatarisht 2.100 udhëtarë në ditë. Burimet thanë se numri më i madh i besimtarëve që udhëtojnë me trena pritet të premten në ditën e Shenjtit kristian Shna Ndou, një nga më të njohurit dhe më të nderuarit në mbarë vendin. Hekurudha Shqiptare më 13 qershor do të shtojë numrin e vagonëve në trenin special dhe pritet që numri i udhëtarëve që i drejtohen kishës së njohur pranë Laçit të arrijë në mbi 4.500

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›