E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni në OKB: Dialog me Serbinë vetëm si të barabartë

NEW YORK- Në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB së, Ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni tha se arritjet e Kosovës janë të jashtëzakonshme dhe se vendi po i ndërton institucionet mbi bazat e Kushtetutës së re demokratike, si dhe mbi bazën e dispozitave të Planit Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit. “Viti 2009 ka qenë vit i suksesshëm për Kosovën në shumë rrafshe. Ne kemi kompletuar procesin e anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Njohja e pavarësisë së Kosovës ka vazhduar në mënyrë të pandërprerë. Qeveria e Kosovës ka qenë shumë e suksesshme në adresimin dhe zgjidhjen e shumë çështjeve nga fusha e ekonomisë, drejtësisë dhe sigurisë në të gjithë Kosovën”, theksoi Hyseni gjatë fjalës së tij. Nga ana e tij, kryediplomati kosovar theksoi se Kosova është e gatshme të përmirësojë marrëdhëniet edhe me Republikën e Serbisë. “Dialogu mes vendeve tona mund të zhvillohet për shumë çështje të interesit të përbashkët dhe mund të ndodhë vetëm në nivel të barabartë, si midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Ne refuzojmë çfarëdo thirrje për rifillim të negociatave për statusin. Për më tepër, ne vlerësojmë se thirrjet për ripërtëritje të negociatave për statusin e Kosovës vijnë nga njerëz që janë qoftë të pavetëdijshëm për situatën dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të gjetur konsensus ose, edhe më keq, kërkojnë aktivisht që të destabilizojnë rajonin”, tha ministri i jashtëm kosovar. Diplomati kosovar tha se Kosova nuk mundet dhe nuk duhet ti harrojë krimet kundër njerëzimit dhe terrorin që Republika e Serbisë e ka ushtruar mbi popullin e Kosovës. (e.n/ina/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›