E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Shkodër, sot nis verifikimi i dëmeve

SHKODER- Një grup prej 180 specialistësh, sot do të nisë vlerësimin e dëmeve që u shkaktuan në Qarkun e Shkodrës nga përmbytja më e madhe e shënuar në dekadat e fundit. Janari i këtij viti nisi "mbrapsht" për kryeqendrën e veriut, duke zhytur nën ujë mbi 11 mijë hektarë tokë e përmbytur 2649 banesa. Do jetë Këshilli i Qarkut të Shkodrës, që do të menaxhojë të gjithë procesin e vlerësimit të dëmeve. Komisioni Ndërministror, pas një mbledhje disaorëshe në ambientet e Prefekturës të Shkodrës pasditen e së premtes, përcaktoi dhe planin e punës për ditët në vazhdim. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha bëri me dije në një konferencë për shtyp, tri vendimet kryesore të marra në këtë takim. Sipas tij, është përcaktuar grupi i punës për vlerësimin e dëmeve, në të cilin bëjnë pjesë specialistë nga të gjitha institucionet: Pushteti vendor, ALUIZNI, Ministria e Bujqësisë, Enti Kombëtar i Banesave etj. Në mbledhjen e djeshme u përcaktuan masat që do të merren në këtë fazë të dytë të situatës. "Janë përcaktuar qartë detyrat e të gjitha ministrive të linjave dhe drejtorive përkatëse. Janë përcaktuar masat për ujin e pijshëm, furnizimin me ushqime për njerëzit dhe bagëtitë. është vendosur se për gjënë e gjallë duhet të sigurohet baza ushqimore deri në mars", - ka sqaruar Basha. Pika e tretë për të cilën është diskutuar në takimin e Komisionit Ndër-ministror ka qenë paraqitja e projekteve nga njësitë vendore që kjo situatë përmbytjesh të mos ndodhë më. "Ne u kemi kërkuar pushteteve vendore që të përgatisin sa më shpejt projektet që ndihmojnë zonën, duke filluar nga transformatorët, argjinaturat deri tek by-pass i Shkodrës, i cili do të shpëtojë qytetin nga përmbytjet", - ka thënë Basha. Ai pohoi se këto projekte do paraqiten në një takim me përfaqësues të BB-së dhe donatorë të tjerë.(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›