Tadic në KS e OKB: Strukturat serbe, jo paralele
NEW YORK- Presidenti serb Boris Tadic paralajmëroi KS të OKB-së, se situata në veri të Kosovës është delikate ndërsa theksoi rrezikun e zbatimit me forcë të planit Ahtisari. Presidenti serb deklaroi se retorika e ashpër që Eulex përdor kur i referohet institucioneve legjitime serbe në veri të Kosovës duke i cilësuar ato si “paralele”, nuk i kontribuon stabilitetit. “Institucionet e vërteta paralele që operojnë në Kosovë janë ato të krijuara mbi bazën e deklaratës së njëanshme të pavarësisë. Ekzistenca e tyre është shkelje e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Nëse Eulex apo KFOR kërkojnë të dënojnë autoritetet në Kosovë, le të fillojnë duke dënuar atë të krijuar në mënyrë të njëanshme nga shqiptarët në Prishtinë, pa miratimin e këtij Këshillit dhe në shkelje të parimeve ndërkombëtare” u shpreh Tadic në seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Presidenti Tadiç tërhoqi vëmendjen për atë që ai e cilësoi si zgjidhja finale për veriun e Kosoves që ka si qëllim të zbatojë me forcë planin Ahtisari për të gjithë territorin. “Kjo strategji mund të avancojë vetëm nëpërmjet masave të ashpra dhe jodemokratike mbi komunitetin serb në veri të Kosovës. Ata të cilët e kanë bërë të ditur këtë plan duhet të marrin mbi vete përgjegjësinë për destabilizimin e situatës duke nxitur konflikte” u shpreh Tadic. Presidenti Serb e mbylli fjalimin e tij duke deklaruar se një plan i tillë nuk do të ishte në të mirë të qytetarëve por vetëm në të mirë të ekstremistëve, ndërsa shprehu besimin se KFOR-i dhe Eulex do të mbronin komunitetin serb në veri të Kosovës nga ambiciet dhe lëvizjet agresive të administratës në Prishtinë. (e.n/news24/BalkanWeb)