Hysi: Luftëtari nuk e ndal hapin as me Burrelin
Trajneri gjirokastrit, Mustafa Hysi, beson se kualitetet e ekipit do ta udhëheqin grupit drejt fitores së radhës
Erdhi dita e ndeshjes së 4-t në stadiumin Gjirokastra, ku Luftëtari ka realizuar tri fitore dhe pretendon të katërtën. Kundërshtari i radhës është ekipi mbretëror, që ndikoi për të hipur në fron Luftëtarin, tek barazoi me Besëlidhjen. Pra, sot vjen në Gjirokastër Burreli, që ka 8 pikë, kurse vendësit 15 të tilla, por edhe një ndeshje më pak, të prapambeturën me Elbasanin.
Ashtu sikundër dihet tashmë botërisht, Luftëtari këtë sezon synon me agresivitet sportiv ngjitjen në superligë, në përpjekjen e tij të 5-të radhazi për një gjë të tillë, ndaj dhe kuptohet që çdo hap i gabuar në fushën e tij është një dush skocez. Ekipit gjirokastrit i mungojnë për ndeshjen e sotme dy nga futbollistët e tij fondamentalë, sulmuesi Nora dhe mesfushori organizator Stoja, të dy për skuqje në ndeshje të kaluara.
Për këtë sezon Luftëtari ka një stol mjaft aktiv, kështu që do të bëhet kompensimi përkatës, që e zgjidhin trajnerët dhe shpresohet shumë se do të merret fitorja. Natyrisht që kjo nuk është aq e lehtë, pasi Luftëtari kryesues të gjitha fitoret i ka realizuar vetëm me një gol diferencë, që vërtet japin 3-pikësha, por janë të varur në fije të perit. Trajner i Luftëtarit, Mustafa Hysi, beson se ekipi i tij nuk do të ndalet as nga matjanët:
E kemi thënë edhe herë të tjera se ndeshje të lehta nuk ka, ndaj dhe e vlerësojmë çdo ekip, pavarësisht nga pozicioni në renditje. Ekipi ynë ka disa futbollistë me përvojë të gjatë, jo vetëm në kategorinë e parë, por edhe në superligë, ku patjetër që Devolli spikat me performancën e tij. Por, si edhe në ndeshjet e mëparshme, loja e tyre do të jetë në shërbim të grupit dhe, në sajë të këtij, do të marrim rezultatin që dëshirojmë.
Luftëtari ka moral të lartë, është i vetëdijshëm për detyrën që ka për të realizuar këtë sezon, ndaj do të vazhdojë të luajë me grintë të lartë edhe ndaj Burrelit. Duke marrë parasysh edhe faktorin fushë, them se Luftëtari është më afër fitores, që do të na forconte pozitat në renditjen provizore, për të vazhduar në ecjen sportive që kemi nisur me tempin e duhur dhe është ndër më të mirat.
Besoj se lojtarët tanë do ti zbatojnë detyrat që do tu ngarkohen, si për të bllokuar sulmet kundërshtare, ashtu edhe për shpërthimin e mbrojtjes së tyre, gjë që do të na sjellë rezultatin e lakmuar.
Formacioni më i mundëshëm i Luftëtarit për ndeshjen e sotme është: Selimaj, Gaxhaj, Sinani, Shalari, Baci, Çaço, Ramadani, Devolli, Mersini, Raboshta dhe Braho.
