E Diel, 1 Nëntor 2026

M.Toçi: Elbasani se ka luksin të nënvlerësojë Kukësin

Nga Elton Karaj

Mesfushori Mateos Toçi shpreh bindjen se ndeshja e sotme me kuksianët do të flasë në favor të ekipit të tij në çdo aspekt

Trajneri Ilirjan File u ka dhënë dje dorën e fundit përgatitjeve të Elbasanit për ndeshjen me Kukësin, që vjen në stadiumin Ruzhdi Bizhuta për herë të parë. Miqtë debutojnë në kategorinë e parë, ndërsa verdheblutë vijnë nga superliga, megjithatë e kanë cilësuar të vështirë këtë ndeshje, duke gjykuar nga paraqitja që veriorët kanë bërë deri tani, duke marrë pikë edhe jashtë fushe.

Gjithsesi, futbollistët dhe stafi teknik i Elbasanit janë të vendosur për një fitore bindëse dhe lojë të bukur, duke e konsideruar këtë të vetmen mënyrë për të harruar disfatën e Lushnjës. Fitorja në kupë me Dinamon e ka përmirësuar moralin e verdhebluve, të cilët synojnë ti afrohen kreut të renditjes me një tripikësh në ndeshjen e sotme.

Gjendja Për trajnerin File pritet të jenë të gatshëm edhe mesfushorët Endri Dalipi dhe Egert Kuçi, të riaftësuar pas dëmtimeve, por edhe mbojtësi Ganiol Kaçuli, që ka shlyer pezullimin nga disiplina. I vetmi shqetësim për momentin është mungesa e mbrojtësit Ardi Sekseni, që ka pësuar një dëmtim në gju dhe nuk do të luajë në ndeshjen e sotme. Është një mungesë jo pak e rëndësishme, pasi Sekseni ka qenë një titullar i padiskutueshëm në javët e deritanishme.

Mateos Toçi Mesfushori i  talentuar elbasanas, Mateos Toçi, shprehet se për Elbasanin edhe barazimi me Kukësin do të ishte njësoj si humbja. “Ne do të hyjmë në fushë vetëm për tri pikët, sepse dihen synimet tona. Duhet pasur kujdes maksimal, pasi ekipi i Kukësit deri tani ka një ecuri pozitive dhe kurrësesi nuk mund të nënvlerësohet. Detyra jonë është të fitojmë e të zhvillojmë një lojë të bukur, në mënyrë që të argëtojmë edhe tifozët tanë, thekson mesfushori verdheblu, autori i një goli deri tani.

Ai pohon se ekipi i tij ka rastin për të bërë autokritikën e humbjes së thellë në Lushnjë. “Na duhet patjetër fitorja në këtë ndeshje, që do të jetë edhe reagimi ynë pas humbjes së fundit në kampionat. Elbasani duhet të fitojë terren në tabelë dhe jo të humbasë, kështu që me Kukësin duhet të marrë 3 pikët, – ka përfunduar Mateos Toçi.
Formacioni i mundshëm i Elbasanit për ndeshjen e sotme është:      Ruçi, Bella, Kacollja, Dosti, Kaçuli, Gava, Hila, Toçi, Dalipi, Merxha,
Galica.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›