Malo: Kemi mungesa, do të bazohemi te përvoja e Xhetanit
Kukësi ka probleme për ndeshjen e sotme, pasi Jevdeviç është i sëmurë, kurse Thana i skualifikuar
Kukësi ka probleme për ndeshjen e sotme në Elbasanin, ku dy lojtarë kryesore të mesfushes nuk do të jenë pjesë e formacionit të trajnerit Berberi. Thana është i skualifikuar, për shkak të kartonit të kuq të marrë në Velipojë, kurse serbi Millosh Jevdeviç është me grip dhe nuk ka dalë në stërvitje ditët e fundit. Megjithatë, sulmuesi Julian Malo është optimist dhe thekson se një X do ta kënaqte ekipin e tij: Mungesa e Thanës dhe Jevdeviçit natyrisht që janë problem për ne, por ne do të bazohemi te përvoja e Xhetanit, – shprehet Malo.
Ai shton më tej se në Elbasan janë mundësitë për një rezultat pozitiv: Në stadiumin Ruzhdi Bizhuta luhet futboll i pastër dhe ne shpresojmë për barazimin, që mund ta arrijmë, pasi ekipi ka lojtarë cilësorë, thekson Malo. Ish-futbollisti i Mamurrasit dhe Kamzës ende nuk e ka shijuar golin me Kukësin dhe për këtë fakt thotë: Po luaj shumë i tërhequr, gati në mesfushë.
Në radhë të parë po luaj për ekipin dhe jo për vete. Po e bëj mirë këtë gjë dhe shpresoj shumë se do vijë edhe goli, – shprehet sulmuesi Malo, i cili shpreson shumë që tifozëria kuksiane do ta ndjekë ekipin edhe në këtë transfertë. Ardhja e tifozëve në Elbasan do të jetë një privilegj për ne,- thekson Malo në fund. Kukësi nuk ka pësuar gol prej 360 minutash, por për këto ndeshje ka shënuar vetem tre gola, që do të thotë pak për sulmin.
