E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: “Berisha dhe forcat e rendit kanë sjellë klimën e 97-s në vend”



Duke marrë shkas nga dhuna e përdorur nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve të opozitës në rrethe, Partia Socialiste ka akuzuar dje kryeministrin Sali Berisha dhe forcat e rendit se në vend kanë sjellë klimën e vitit 1997. Reagimi vjen nga deputeti socialist, Saimir Tahiri, i cili ka listuar emrat e drejtuesve të Policisë, që, sipas tij, i shërbejnë kryeministrit Berisha. “Sali Berisha dhe shërbëtorët e tij Tonin Vocaj, Gjergj Jorgo, Krenar Ahmeti, Aleks Hajdari, Emri Vata, Ivzi Bushati, Bernard Çaushaj e të tjerë, bëjnë mirë të kujtojnë se çdo akt dhune ndaj kujtdo protestuesi do të konsiderohet akt dhune ndaj të gjithë socialistëve, deputetëve e qytetarëve të thjeshtë që mbështetin kauzën tonë të drejtë”, - u shpreh Tahiri. Nga ana tjetër, Tahiri ka folur dhe për ndarje krahinore dhe forca rezerviste që përdoren nga qeveria për të mposhtur protestat, duke bërë që në këtë mënyrë debati të kalojë në një rrafsh më të gjerë sesa protestat për transparencën dhe kutitë. “Mbjellja e urrejtjes krahinore dhe ndërzimi i militantëve ekstremistë, tashmë të punësuar në nivelet më të larta të Policisë së Shtetit, rekrutimi dhe përdorimi i rezervistëve si ata të ‘97-s, përdorimi i dhunës verbale e fizike dhe i substancave kimike ndaj qytetarëve protestues, është shprehje fashiste e një kryeministri që e do pushtetin më shumë se vetë vendin e tij”, - u shpreh deputeti i PS-së.
Incidenti
Reagimi i Partisë Socialiste vjen pas një sërë incidentesh në Korçë dhe në qytete të tjera të vendit, ku protestuesit e PS-së janë goditur nga policia. Tahiri argumentoi se PS-ja është njohur nëpërmjet mediave me mënyrën se si segmente të caktuara të Policisë së Shtetit, ushtruan dhunë fizike ndaj qytetarëve të thjeshtë që kërkojnë transparencën e zgjedhjeve dhe ndaj deputetëve të PS-së. Nisur nga kjo, deputeti i PS-së deklaron se vendi po shkon drejt dhunës ekstreme. “Sali Berisha po rreshket edhe një herë në spiralen e dhunës ekstreme, vetëm për të mbrojtur vjedhjen e zgjedhjeve, tamam siç dogji treçerekun e vendit në ‘97-n për të mbrojtur vjedhjen e kursimeve të shqiptarëve”, - u shpreh Tahiri.
Protesta
Tahiri ka argumentuar se protesta është një e drejtë themelore e njohur nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. “Për këtë arsye, kufizimi i së drejtës për të protestuar nuk mund të jetë më i madh sesa kufizimi që vetë protesta shkakton në lirinë e lëvizjes. Veprimet e dhunshme të Policisë së Shtetit nuk janë proporcionale e si të tilla synojnë cenimin e vetë thelbit të së drejtës për të protestuar”, - tha Tahiri. Duke shprehur qëndrimin e palëkundur të PS-së për vijimin e protestave, Tahiri shtoi se selia rozë respekton punën e efektivëve të thjeshtë të Policisë së Shtetit, të cilët njësoj si të gjithë shqiptarët e ndershëm po shfrytëzohen si skllevër për të ushtruar dhunë ndaj protestuesve të opozitës dhe ndaj deputetëve të saj. Ndërsa duke u ndalur në aktet e dhunës, deputeti i PS-së tha se çdo cenim do të konsiderohet akt dhune ndaj të gjithëve ne dhe, si i tillë, është absolutisht i papranueshëm.
Tahiri u bëri thirrje drejtuesve të Policisë që të respektojnë ligjin. “Në të kundërt, dora e ligjit do të bjerë mbi ta me një forcë që tani as e marrin dot me mend dhe se nuk do të ketë asnjë mburojë politike a personale që do të mund t’i shpëtojë nga përgjegjësia ligjore”, - u shpreh deputeti Tahiri.

14 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›