Kërcënohet botuesi dhe intelektuali Veton Surroi
PRISHTINË - Në Kosovë, udhëheqës institucionesh dhe drejtues të shoqatave të gazetarëve reaguan ndaj një mbishkrimi kundër publicistit Veton Surroi dhe motrës së tij Flaka Surroi, që drejton kompaninë mediatike “Koha”. Në një mbishkrim të vënë në rrugën ku ndodhet apartamenti i familjes Surroi thuhej: “Rruga e UDB-së – Flaka dhe Veton Surroi”, duke aluduar në shërbimin e dikurshëm sekret serb. Ndaj këtij rasti ka reaguar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të ulët dhe sulm ndaj vlerave të demokracisë së vendit. Institucionet e Kosovës po punojnë me përkushtim për tolerancën, mirëkuptimin dhe shprehjen e lirë. Prandaj, veprimet e tilla janë të dëmshme për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, thuhet në reagimin e kryeministrit Thaçi. Ngjarja është dënuar nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, i cili vlerëson se porosia synon të degradojë dy figura të shquara të gazetarisë dhe publicistikës së Kosovës. Ai e vlerëson si mesazh thellësisht linçues, të paprecedent dhe, mbi të gjitha, një kërcënim të hapur ndaj ish-themeluesit dhe pronares aktuale të grupit “Koha”. Ndërsa Unioni i Gazetarëve të Kosovës e sheh mbishkrimin si një mënyrë jo të mirë të shprehjes së pakënaqësisë ndaj personaliteteve të mediumeve në Kosovë, ndërsa u bënë thirrje autoriteteve të Kosovës, që ta zbardhin ketë akt dhe të marrin masa sa më të shpejta ndaj autorëve të rastit.
14 Maj 2010