E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi me telashe

Në kohët e fundit Hysi po përballet me disa probleme të brendshme në klub. Qetësia në skuadrën bardhezi është prishur për shkak se kryesia e klubit akoma nuk i ka kryer të gjitha obligimet nga edicioni i kaluar ndaj futbollistëve të vet, derisa këta të fundit po kërkojnë nga drejtuesit e Hysit të pastrohet borxhi ndaj tyre.

Kështu kanë njoftuar disa burime të gazetës Express brenda skuadrës së Hysit në kushte anonimiteti. “Punët brenda klubit nuk janë duke shkuar mirë, pasi ka disa paqartësi. Klubi nuk i ka kryer të gjitha obligimet ndaj futbollistëve. Mirëpo, na është premtuar se deri të hënën do të kryhen të gjitha obligimet”, ka thënë një futbollist i Hysit, i cili nuk deshi t’i bëhej publik emri.

Ndërsa, një burim tjetër i Expressit brenda ekipit llapjan ka treguar se kjo përplasje mes futbollistëve dhe kryesisë së klubit e ka shqetësuar mjaft edhe kryetrajnerin e ri të Hysit, Bylbyl Sokoli. Sipas këtij burimi, ish trajneri i KEK-ut po mundohet t’u dalë në mbrojtje futbollistëve të tij në këtë rast.

“Bylbyl Sokoli ka kërkuar nga kryesia ta zgjidhë këtë problem me lojtarë dhe e ka njoftuar kryesinë se në atmosferë të tillë nuk e ka princip të punojë, pasi lojtarët, brengat e tyre më së shumti po i shprehin te trajneri”, ka pohuar ky burim, sipas të cilit ekziston mundësia që Sokoli të ndahet me Hysin ende pa filluar edicioni i ri, nëse drejtuesit e klubit nuk i spastrojnë problemet me futbollistë brenda pak ditësh.

I kontaktuar nga Expressi, Bylbyl Sokoli nuk ka folur shumë për rastin. Por, ai pranoi se nevojitet një organizim më i mirë në klub. “Duhet të ketë organizim sa më të mirë në klub, sepse shumë mjete po derdhen dhe duhet të jemi më racionalë”, tha shkurt Sokoli.

Në anën tjetër, pronari i Hysit, Hysen Sadiku ka mohuar që klubi akoma t’u ketë borxh futbollistëve dhe thotë se atmosfera në skuadër është e mirë. “Nuk është e vërtetë se u kemi borxh futbollistëve. Po ashtu, me Bylbyl Sokolin kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe gjithçka po shkon mirë në ekip”, pohoi Sadiku për Express.

E shtuna, vendimtare te Trepça

E shtuna do të jetë ditë e rëndësishme për kampionin e Kosovës, Trepçën. Burime të Expressit kanë bërë të ditur se futbollistët kampionë i kanë dhënë afat kryesisë së klubit deri të shtunën, që t’u ofrohen kontratat e reja, pasi ato u kishin skaduar me të përfunduar kampionati që lamë pas.

Nëse kjo nuk ndodh, mësohet se të paktën disa prej futbollistëve kyçë si Osmani, Sejdiu, Fetahu e Ibrahimi etj, mund t’i braktisin ‘Xehetarët’, pasi kanë oferta nga disa klube të tjera kosovare. Expressi ka provuar të premten të kontaktojë edhe me kryetarin e klubit kampion, Nexhmedin Haxhiu, por kjo ka qenë e pamundur. Përndryshe, edhe Trepça, sikurse thuajse të gjitha klubet e tjera kosovare, nuk ka shpëtuar pa u prekur nga kriza financiare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›