Whithers: “Policia e kontrolluar nga politika t’ia lërë vendin shërbimit policor autonom”
Luan Kondi
TIRANE- Ambasadori amerikan John Whithers theksoi dje gjatë konferencës ballkanike për “Trajnimin dhe Lidershipin në Polici” nevojën e pavarësisë së policisë, si një faktor kyç për parandalimin e krimit. “Pavarësia e Policisë nga çdo manipulim politik është me rëndësi thelbësore për ndërtimin e besimit të publikut”, - tha Whithers.
Deklarata
Sipas Whithers ndryshimi i rolit të policisë nga një forcë policore në shërbim policor është shpesh e vështirë. “Një forcë policore e cila në të shkuarën është kontrolluar nga politika dhe e frikshme për publikun, duhet t’ia lërë vendin një shërbimi policor autonom që gëzon besimin e publikut. Pavarësia e policisë nga manipulimi politik është jetësore për ndërtimin e besimit të publikut dhe paqen dhe sigurinë e një vendi”, - vijoi Whithers.
Diplomati amerikan ka vlerësuar mbledhjen së bashku të drejtuesve të policisë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova të mblidhen për të diskutuar mbi sfidat e shumta me të cilat do të përballen në trajnimin e Policisë. Whithers nuk ka harruar të shprehë edhe vlerësimin e tij për shefin e OSBE Ambasadorin Bosch, Ministrin e Brendshëm Nishani, Drejtorin e Përgjithshëm Prençi për mbështetjen dhe asistencën e tyre në mbajtjen e kësaj konference. “Ju jeni këtu me elitat më të larta të drejtuesve të trajnimin e agjencive të zbatimi të ligjit nga Shtetet e Bashkuara, Europa dhe vendet tuaja. Ju do të keni mundësinë të ndërveproni me njëri tjetrin dhe të mësoni nga njëri tjetri; diçka që unë ju nxis të përfitoni maksimalisht. Ishte privilegj i vërtetë për mua të takohesha me prezantuesin kryesor të kësaj konference, Drejtorin e FLETC (Qendra për Trajnimin e Agjencive të Huaja të Zbatimit të Ligjit) Connie Patrick dhe Drejtorin e ICITAP Carr Trevilian”, - nënvizoi ambasadori Whithers. Sipas tij, dedikimi i tyre ndaj trajnimit në polici është frymëzues, ashtu siç është edhe angazhimi i tyre në rritjen e profilit të profesionit të tyre në botë. “Çelësi për të pasur një organizim të suksesshëm në profesionin e zbatimit të ligjit gjendet tek burimet njerëzore, oficerët dhe stafi juaj. Ata duhet të trajnohen dhe arsimohen për të kryer funksionet kryesore të punës së tyre dhe për t’i kryer detyrat e tyre me krenari, iniciativë, vetëbesim dhe bindje. Si në mjediset post-konfliktuale, ashtu edhe në demokracitë në zhvillim, ndryshimi i rolit të policisë nga një forcë policore në shërbim policor është shpesh e vështirë. Një forcë policore e cila në të shkuarën është kontrolluar nga politika dhe e frikshme për publikun, duhet t’ia lërë vendin një shërbimi policor autonom që gëzon besimin e publikut. Pavarësia e policisë nga manipulimi politik është jetësore për ndërtimin e besimit të publikut dhe paqen dhe sigurinë e një vendi”, përfundoi ambasadori i SHBA-ve në Tiranë John Whithers.
Konferenca
Ne Konferencen e paradites së djeshme të pranishëm ishin edhe kreu i OSBE-se Robert Bosch, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe Drejtori i Policisë se Shtetit, Ahmet Prenci. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia do të rrisin bashkëpunimin në fushën e policisë dhe do të shkëmbejnë përvojat për trajnimin e lidershipëve në këtë sektor. Për këtë qëllim përfaqësues të tre shteteve janë mbledhur sot në ambientet e hotel “Imperial”, ku për tre ditë do të marrin pjesë në konferencën “Trajnimi i Lidershipëve të Policisë së Ballkanit”, një konferencë që organizohet me mbështetjen e Departamentit të Shteteve të Bashkuara dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal (ICITAP), me ndihmën e Organizatës për Mbrojtje dhe Bashkëpunim në Europë (OSCE) dhe Policisë së Shtetit Shqiptar (ASP).
Bocsh: “Në radhët e policisë nevojiten trajnime të vazhdueshme si një mase antikrimi dhe antikorrupsioni”.
Nishani: “Trajnimi mbi bazën e formimit të përgjithshëm policor, mbi bazën e shërbimit të komunitetit dhe të nxitjes së karrierës, mbi bazën e aftësive dhe nivelit trajnues janë një bazë e rëndësishme për një bazë policore të konsoliduar.
Prençi: “Unë besoj se ndaj të njëjtin opinion me të gjithë ju për rolin dhe rëndësinë e edukimit dhe të trajnimit policor. Investimi për to është investimi më i mirë që mund të bëhet, pasi krijon mundësinë për rritje të aftësive profesionale dhe të efikasitetit të shërbimeve që i ofron policia komunitetit”.
30 Korrik 2008