Mashtroi katër nigerianë si agjenci turistike, bie në prangat e policisë
TIRANË - Specialistët e antikrimit ekonomik-financiar kanë arrestuar një 28 - vjeçar, i cili dyshohet të ketë mashtruar katër shtetas nigerianë nëpërmjet internetit. Policia e Tiranës ka bere te ditur sot se Edmir Cjapi nga Tirana ka mashtruar katër shtetas nigeriane dhe u ka vjedhur atyre shumat prej 760 euro për person, në rolin e administruesit në Shqipëri të një agjencie turistike me emrin e rremë “Edial Tour Sh.P.K”. Dyshohet se paratë ai i merrte me pretendimin e nxjerrjes së vizave hyrëse në vendin tonë dhe se transfertën e parave e ka kryer nëpërmjet agjencisë postare të transfertës së parave “Western Union”. Kjo ka qenë dhe pika ku kanë nisur hetimet deri sa është arritur në përfundimin se adresa e publikuar në faqen e internetit (rruga “Mihal Grameno” Tiranë) dhe numrat e kontaktit nuk ishin të sakta. Ka qenë shtetasi nigerian, Samson Kola, i cili duke përfaqësuar tre bashkëkombësit e tij, ka denoncuar këtë veprim në strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme. Ndërkohë, bëhet e ditur se pranë Policisë së Tiranës janë paraqitur edhe persona të tjerë të dëmtuar financiarisht nga ky shtetas. Në të njëjtën kohë, Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorëzim materialet procedurale në ngarkim të Edmir Cjapit për veprën penale të “Mashtrimit”.
30 Korrik 2008