Nishani te RENEA, i falënderon për evakuimin e banorëve pas zjarrit në Rrugën e Kavajës
Tiranë – Pas suksesit në operacionin e shpëtimit të banorëve të dy pallateve shumëkatësh që u përfshin nga flakët ministri ka gjetur kohën për t’u thënë “ju lumtë” djemve të RENEA-s. Kreu i Ministrisë së Brendshme i shoqëruar nga zëvendësi i tij Gent Strazimiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, zhvilluan dje një takim më forcat e Repartit RENEA. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Brendshme, në këtë takim ministri i shprehu mirënjohjen efektivit special për kurajën, trimërinë dhe humanizmin që treguan në operacionin e shpëtimit në ngjarjen e dy ditëve më parë, kur ra zjarr në një pallat fare pranë qendrës së kryeqytetit. Ministri Nishani u përcolli gjithashtu efektivave të Repartit RENEA mirënjohjen, vlerësimin dhe konsideratën e autoriteteve më të larta shtetërore për shpëtimin e jetëve të njerëzve, ku bënë të mundur shmangien e një tragjedie. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi falënderoi gjithashtu efektivat dhe drejtuesit e Repartit RENEA për profesionalizmin dhe guximin e treguar në operacionin për shpëtimin e njerëzve. Prençi evidentoi faktin se forcat e Repartit RENEA gjithmonë kanë qenë elitë dhe në ballë të punës për realizimin e detyrave institucionale të Policisë së Shtetit. Me këtë rast ai nënvizoi nevojën që ashtu si deri tani, Reparti RENEA të ruajë rolin lider të forcave speciale të Policisë së Shtetit, nëpërmjet perfeksionimit të vazhdueshëm të veprimeve të tyre në situata emergjence. Reparti special RENEA arriti të nxirrte rreth 50 persona për 30 minuta nga një pallat që rrezikonte jetët e qytetarëve nga flakët. Ngjarja ndodhi ditën e hënë në Rrugën e Kavajës në Tiranë, ku falë ndërhyrjes së repartit special RENEA u mundësua evakuimi në kohë rekord i banorëve të rrezikuar.
30 Korrik 2008