E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysni Kapo “pranon” gabimet e Josif Stalinit

Autori i Lajmit: Androkli DraloTiranë, 12 nëntor 1962 – Anëtari i Byrosë Politike, Hysni Kapo, numri 3 i udhëheqjes shqiptare, njeriu që në qershor të 1960, ndërsa kryesonte delegacionin shqiptar në Konferencën e Bukureshtit të Partive Komuniste, e kreu shumë mirë rolin e ideologut kryesor të antirevizionizmit gjatë konferencës, sulmoi në Tiranë tre burrat që komunistët shqiptarë dhe kinezë i vlerësojnë si eksponentët kryesorë të revizionizmit modern: Hrushovin, Titon dhe Toljatin. Sulmet erdhën gjatë fjalimit të 7 nëntorit, që përkonte me përvjetorin e 45-të të Revolucionit Socialist të Tetorit dhe ishte gjithashtu dita e fundit e muajit të miqësisë shqiptaro-sovjetike. Si pasojë, ishte detyra e Hysni Kapos, që të përgatiste dhe mbante fjalimin e ndarjes, një detyrë, të cilën ai duhet ta ketë lakmuar, po të marrësh parasysh tonin me të cilin ai e përcolli. Kapo bën gjithashtu të qartë se ndryshimi i datës së muajit të miqësisë shqiptaro-sovjetike, nga 7 shtatori në (7 tetor-7 nëntor), shërbeu me qëllimin e vetëm diskreditimin e mëtejshëm të revizionistëve, të cilët, sipas shqiptarëve dhe të tjerëve, “po përpiqen me padurim për të reformuar marksizëm-leninizmin”. Duhet shënuar dhe roli i rëndësishëm që luan sot Kapo në Shqipëri. Ky fjalim ishte i dyti në këto 10 ditët e fundit për anëtarin e angazhuar të Byrosë Politike. Më 31 tetor, organi partiak “Zëri i popullit”, botoi në një speciale prej 5 faqesh raportin e Kapos të mbajtur gjatë Plenumit të Bujqësisë në Tiranë (26-28 tetor). Raporti nisi me një sulm të ashpër kundër Hrushovit, për sa u përket politikave të tij ndaj Shqipërisë: “Grupi tradhtar i Nikita Hrushovit është përfshirë si në të shkuarën ashtu edhe në të tashmen në një seri komplotesh dhe sulmesh keqdashëse kundër Partisë së Punës të Shqipërisë. Shqipëria, sidoqoftë nuk u izolua siç ishte dëshira e disa armiqve, përkundrazi sot ajo ka më shumë miq dhe shokë bashkëluftëtarë për kauzën e marksizëm-leninizmit. Bllokada që Hrushovi ka ngritur kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, u rrëzua si një kështjellë prej letre”. Fjalimi i Kapos gjatë këtij përvjetori iu kushtua i gjithi çështjeve ideologjike dhe atyre të politikës së jashtme. Fjalimi kishte 3 objektiva: 1) të mbështeste politikat e Stalinit; 2) të shprehte solidaritetin me Kinën e Kuqe dhe Kubën; 3) të demaskonte karakterin e ngushtë dhe oportunist të Hrushovit, Titos e Toljatit. Stalini, mes të tjerash, u lavdërua se kishte sjellë formimin e 12 vendeve socialiste në Evropë dhe Azi dhe Kubën gjithashtu. Duke deklaruar se Bashkimit Sovjetik iu deshën mbi 30 vite për të ndërtuar socializmin nën rrethimin kapitalist dhe për të drejtuar PKBS-në sipas udhëzimeve të përcaktuara nga Lenini, pavarësisht “falsifikimeve të teksteve të reja që mund të sajojnë sot revizionistët modernë”. Kapo la të kuptohej se të njëjtat rezultate mund të arriheshin dhe në vende të tjera, duke pasur parasysh sigurisht Shqipërinë dhe Kinën e Kuqe. Kapoja u përpoq gjithashtu të theksonte ngjashmërinë mes sjelljes së Stalinit dhe asaj të udhëheqjes shqiptare, duke deklaruar se heroi i adhuruar shqiptar, kishte mbrojtur me shumë guxim mësimet e Leninit gjatë krijimit të partisë së re, pavarësisht “atyre pak gabimeve”, të cilat Stalini mund të ketë bërë gjatë jetës së tij revolucionare. Nëse Kapoja lavdëroi Bashkimin Sovjetik dhe PKBS-në në të shkuarën në lidhje me epokën e Leninit dhe Stalinit, Kina e Kuqe nga ana tjetër, mori më shumë se vëmendja e tij për rolin e saj të tanishëm në botë. Sipas Kapos, triumfi i revolucionit popullor në Kinë nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit, vinte në radhë të dytë pas Revolucionit Socialist të Tetorit. Ai e bëri të qartë se komunistët shqiptarë krenohen që kanë një aleat të afërt, revolucioni i së cilit ka ndikuar popujt “e dominuar dhe të shfrytëzuar” të botës dhe në veçanti popujt në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. “Ndërtimi gradual i Kinës së Kuqe në një imazh të fuqisë supreme në sytë e komunistëve shqiptarë dhe komunistëve të tjerë prokinezë në të gjithë botën komuniste dhe jokomuniste, ishte e dukshme kur Kapoja nënvizoi se PKK ishte shndërruar në “një fuqi të madhe, e cila kishte një autoritet të jashtëzakonshëm dhe që luante një rol të madh në frontin e parë të luftës kundër imperializmit, kundër forcave reaksionare dhe në luftën e vendosur kundër revizionizmit modern. Përpjekja e Shqipërisë për të qenë mbrojtësja kryesore e interesave të Kinës së Kuqe u shfaq kur anëtari i Byrosë Politike trajtoi problemin e bazave amerikane që rrethojnë vendet socialiste. Ai la të kuptohej se bazat jo vetëm që rrethojnë Bashkimin Sovjetik, (për shembull ato të Turqisë) por dhe vendet e tjera socialiste si Kina e Kuqe. Ky vend rrethohet nga të gjitha anët nga Japonia, Korea e Jugut, Formoza dhe Laosi, Tajlanda etj... deri tek provokimet aktuale të reaksionarëve indianë. Kapo vazhdoi në rolin e tij të zëdhënësit të të drejtave kineze, duke akuzuar imperialistët dhe të gjithë reaksionarët ndërkombëtarë se po kryenin një fushatë të “dhunshme” dhe propagandë “shpifëse” për ta prezantuar PKK-në si një “luftënxitëse dhe agresore”, ndërsa qarqet reaksionare indiane të udhëhequra nga Nehruja si “engjëj paqësorë”. Kapo sulmoi direkt udhëheqësin sovjetik për problemet e kufirit kino-indian. Ai ripohoi haptazi se të gjitha partitë marksiste-leniniste dhe të gjithë komunistët e “ndershëm nuk mund të qëndrojnë indiferentë dhe asnjanës në një kohë kur imperialistët po armatosin Republikën Indiane”. Komunisti shqiptar përfundoi me bindjen se Partia Komuniste Kineze po punonte dhe do të shpalosë “një rezolutë dhe luftë parimore kundër shtrembërimeve të doktrinës tonë revolucionare të ditës së sotme”. Por shënjestra e preferuar e Kapos ishte H-T-T (Hrushovi, Tito dhe Toljati) ndërsa atij, të cilit iu kushtua më shumë vëmendje ishte Hrushovi dhe politikat e tij revizioniste. Në përgjithësi, këta revizionistë u akuzuan se ishin përpjekur për të shkatërruar rrënjët revolucionare të marksizëm-leninizmit. Komunisti shqiptar premtoi se PPSH-ja do të vazhdonte nga ana e saj të përmbushte “obligimin” duke “demaskuar haptazi” pikëpamjet dhe veprimtaritë e revizionistëve modernë. Ekzaktësisht një vit më parë, fjalimi i Enver Hoxhës u përqendrua tek fushata armiqësore kundër udhëheqjes sovjetike. Gjashtë muajt e parë mbas Kongresit XX të Partisë Sovjetike u përdorën kryesisht për të sulmuar Hrushovin për veprimtaritë e tij revizioniste ndaj Shqipërisë dhe PPSH-së. Më pas atmosfera u qetësua disi (prill-qershor), për shkak se u mendua se Pekini dhe Moska nuk po e kundërshtonin më njëra-tjetrën. Më pas kur u kuptua se Hrushovi skishte ndër mend ti ndalte politikat e tij “revizioniste” të afrimit me Titon apo përpjekjes së përforcimit të politikës së bashkekzistencës etj, lufta e fjalëve të Tiranës, me miratimin e plotë të Pekinit, u intensifikua. Kaq të zellshëm ishin propagandistët e Tiranës sa ata nuk humbën asnjë rast për të sulmuar politikat “revizioniste” të Hrushovit dhe mbështetësve të tij. Prandaj mund të thuhet se aq e madhe është çarja mes Moskës dhe Tiranës, sa për sa kohë udhëheqjet e tyre do të jenë në pushtet, mund të thuhet se marrëdhëniet mes tyre nuk kanë kthim mbrapa. Kina e Kuqe gjatë 12 muajve të fundit ka mbështetur çdo mundësi të qëndrimit “të vendosur dhe parimor” marksist-leninist të udhëheqësve shqiptarë“. Shembulli më i fundit është fjalimi i delegatit kinez, Vu Hsiu Çuan, i mbajtur në Kongresin e Partisë Komuniste Bullgare.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›