E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina e kancerit të qafës së mitrës kushton 600 €

Autori i Lajmit: Entela DurajVaksina kundër kancerit të qafës së mitrës do të aplikohet falas, por vetëm pas pesë vitesh. Kjo pasi momentalisht vendi ynë nuk ka mundësi ekonomike për rimbursimin e kësaj vaksine, e cila kushton jo pak, por 600 euro (tri doza vaksine). Lajmi për futjen e vaksinës së kancerit të qafës së mitrës në kalendarin kombëtar të vaksinimit u bë i ditur nga drejtori i Shëndetit Publik pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Gazmend Bejtja. “Vaksina është në treg. Ndodhet në depot farmaceutike. Është paksa e shtrenjtë. Është në planin tonë që kjo vaksinë të futet në kalendarin e vaksinimit, pra të mbulohet nga fondet e shtetit. Kjo të bëhet në harkun e 3-5 vjetëve të ardhshme, sepse ka një plan të caktuar për futjen e vaksinave të reja”, - tha Bejtja. Specialistët e shëndetësisë gjatë kësaj jave, e cila është quajtur dhe “Java Evropiane e Kancerit të Qafës së Mitrës”, u bëjnë apel qytetareve të depistohen në moshë të hershme, ndërkohë që tregojnë dhe disa nga faktorët që çojnë drejt kësaj patologjie. “Fillimi i jetës seksuale në moshë të re presupozon që të kemi një prekje më të lartë nga ky virus. Pirja e duhanit, gjithashtu akuzohet si një shkaktar i këtij kanceri. Gjithashtu, stili i jetës, mënyra e të ushqyerit me shumë yndyrna, kur në fakt duhen ngrënë më shumë fruta dhe perime”, - tha Bejtja. Për fat të keq, vendi ynë vazhdon të renditet në listën e shteteve që kanë një numër të lartë të rasteve të shfaqura në vit, 25 raste të reja për 100 mijë femra dhe rreth 140 vdekje në vit.

Tare: Sa i mundshëm është shërimi
-A ka medikamente efikase që të zhdukin këtë lloj virusi nga trupi i gruas? Pra, sa efektivë janë antiviralët?
Nuk ka medikament tërësisht efikas, por ka masa efikase për të ndaluar shkatërrimin e qelizave. Ndërkohë, gratë me këtë virus duhet të mjekohen edhe për infeksione të tjera, sepse duke pasur infeksione të tjera, ndërhyn më kollaj veprimi i virusit në qelizë.
-A ka shërim gruaja nga ky lloj infeksioni kaq problematik?
Varet nga tipi i virusit. Janë disa papilloma që shërohen vetë nga organizmi ose kalojnë vetëm duke u mjekuar. Kurse për më të rrezikshmet bëhen djegie në shkallë të ndryshme, bëhen rrezatime, deri në heqjen e mitrës.

Vaksina duhet të fillojë tek vajzat 10-12 vjeçe

OBSH rekomandon që vaksina që mbron nga kanceri i qafës së mitrës të bëhet tek vajzat e vogla pa hyrë në pubertet. Që një prind shqiptar të marrë vajzën e tij minorene për dore dhe ta çojë për vaksinim, kjo duket e jashtëzakonshme sot për sot. Mjekët nuk heqin dorë nga mendimi se është një gjë shumë e mirë për ata që i kanë mundësitë ekonomike, pasi vaksina kushton 600 euro. Mjekja Vjollca Tare thotë: “Na kanë ardhur shumë gra, që interesohen për këtë vaksinë, sepse kanë dëgjuar për të. Por duhet tju bëj të qartë, që vaksina bëhet tek ato vajza që nuk kanë filluar ende jetën seksuale. Nëse kanë pasur qoftë edhe një herë të vetme kontakt seksual, mund ta kenë marrë me këtë herë virusin, e nuk ka asnjë vlerë ta bësh vaksinën. Vaksina rekomandohet të bëhet në vajzat 10-12 vjeçe, duke menduar se vajzat mund ta nisin jetën seksuale edhe 14-15 vjeçe”. E pyetur se a mendon ajo si mjeke, që kjo të përfshihet në vaksinat e detyrueshme të fëmijëve nga mosha 0-15 vjeç, doktoresha thotë: “Të detyrueshme ndoshta jo, sepse kjo është shumë e kushtueshme, por mund të vijë koha që të bëhet si vaksinat e tjera. Vetëm se duhet pasur parasysh që vaksina mbron vetëm nga dy tipe të virusit Papilloma, që janë të rrezikshëm. Kjo nuk do të thotë, se gruaja që ka bërë vaksinën, nuk do të infektohet nga tipet e tjera të Papillomës. Pra, duhet të them se vaksina nuk është për të dhënë mbrojtje nga çdo virus”.

Çfarë tregon Pap-testi?

Pap-testi diagnostikon sëmundjet e qafës së mitrës, por që janë seksualisht të transmetueshme mikrobiale, me sekrecione dhe sidomos për një virus që vendoset në organizmin e gruas. Virusi është disa tipesh, disa prej tyre nuk janë shumë të rrezikshëm dhe organizmi i gruas i zhduk vetë. Sidomos lindjet veprojnë shumë mirë, sepse pastrojnë rrugët vaginale, heqin gjithë qelizat e çrregullta të vendosura sipër tyre. Por ka edhe disa lloje nga këto viruse, dy tipe të tyre që vendosen, mbeten dhe japin ndryshime qelizore në qafën e mitrës. Sigurisht, masat nuk merren që vitin e parë ose të dytë, sepse këto mbahen disa vjet në observacion për të parë nëse organizmi po e përballon dot, a mund ti eliminojë apo po avancon dhe duhen marrë masa të tjera. Mjekimi fillon me djegie të shkallës së lehtë, me operacione më të vogla e më pas me më të mëdha. Por këto ndërhyrje në rastin e grave të infektuara dhe që pësojnë prej virusit ndryshime qelizore, nuk kryhen në vitet e para pas infektimit, por më pas.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›