E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, 21 operacione antidrogë, 57 të arrestuar

Bashkëpunimi i Policisë shqiptare me ROS e policinë europiane. Janë sekuestruar 2.3 kg marijuanë, 54.5 kg heroinë dhe 759 kg kokainë
Luan Kondi

TIRANË – Policia shqiptare në dy vjet ka realizuar 21 operacione antidrogë dhe ka vënë në pranga 57 persona. Rezultatet janë publikuar gjatë takimit që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kryekomisar Ahmet Prençi, ka pasur në Itali me homologët italianë dhe ata europianë. Prençi prezantoi dy ditë më parë bilancin e rezultateve të operacioneve që Policia e Shtetit ka ndërmarrë në bashkëpunim me Antidrogën Italiane (ROS) si dhe me partnerët e tjerë europianë për periudhën dhjetor 2005-dhjetor 2007, ku janë arrestuar disa persona, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme heroine, kokaine, armë dhe municione luftarake, laboratorë për përpunimin e drogave. Shifrat e prezantuara janë bërë publike, më 21 shkurt në Romë, Itali, gjatë një takimi të organizuar me iniciativën e Europol me Drejtorinë e Antidrogës të Italisë, ku ishin ftuar drejtues kryesorë të Antidrogës nga të gjitha vendet e Europës, mes të cilëve dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit, drejtori i zyrës së Luftës së Krimit të Organizuar, kryekomisar Arjan Muça si dhe zv/prokurori i Krimeve të Rënda, Kostaq Beluri. Në këtë takim u analizua niveli i bashkëpunimit të policive të Europës në luftën kundër trafikut të drogës, armëve dhe qenieve njerëzore.
Rezultatet
“Në asnjë moment nuk ka pasur dekonspirim dhe dështim të operacioneve”, - nënvizoi Prençi, duke shtuar se “rezultatet kanë ardhur paralel me reformën e thellë të bërë në Policinë e Shtetit, e cila ka vepruar me një kapacitet 25 për qind në numër më të ulët se dy vite më parë dhe efektiviteti dhe eficenca e saj kanë ardhur në rritje”. Duke prezantuar me detaje operacionet e përbashkëta të ndërmarra kryesisht në Itali dhe Shqipëri për periudhën në fjalë, Prençi tha se bashkëpunimi i policisë shqiptare dhe asaj italiane ka qenë një shembull i mirë për të gjitha policitë e tjera”, - duke theksuar se “tashmë policia shqiptare është e integruar në strukturat europiane të policimit”. Në mënyrë specifike, kryekomisar Prençi u ndal te struktura Antidrogë (ROS), Itali, duke e cilësuar atë një repart elitë të operacioneve speciale dhe antitrafiqeve jo vetëm në Itali, por në gjithë Europën. “Arritjet dhe treguesit e këtij bashkëpunimi në dy vitet e fundit kanë rezultuar një binom i suksesshëm, me një eficencë 100 për qind në të gjitha detajet e operacioneve të organizuara së bashku”, - tha Prençi.
Operacionet
Gjithçka ka nisur rreth 2 vjet më parë me operacionin e koduar “Karaburun” nga Policia shqiptare, e cila, në bashkëpunim me ROS, gjeneroi gjatë këtyre dy viteve edhe me tre operacione të tjera ndërkombëtare, ku binomit ROS-Polici shqiptare iu bashkëngjitën edhe një numër i madh partnerësh të policive të tjera europiane. Operacioni “Harem”, që u shtri në Shqipëri-Itali-Gjermani dhe është produkt i bashkëpunimit të tre policive, që u finalizua në dhjetor të vitit 2005 me 85 të arrestuar, 300 kg drogë të sekuestruar, 4 automatikë kallashnikovë dhe municione të sekuestruara. Në përfundim të këtij operacioni u provuan dhe u dokumentuan lidhjet e grupeve kriminale nga Shqipëria me mafien kalabreze. Në korrik të viti 2006, bashkëpunimi i njësisë ROS me Policinë shqiptare shtrihet njëkohësisht edhe në tre operacione të reja ndërkombëtare, të iniciuara këto nga Policia shqiptare, të koduara “Karaburun”, “Vjosa” dhe “Eagle”. Falë bashkëpunimit të Policisë shqiptare, ROS-it e policive europiane, është bërë i mundur lokalizimi dhe çmontimi i katër laboratorëve klandestinë, substancave narkotike dhe të përzierësve të përdorur nga një komponent kosovar i krimit të organizuar ndërkombëtar. Hetimet e ndërthurura dhe bashkëpunimi midis ROS-it, Policisë shqiptare dhe Shërbimit të Policisë së Kosovës, kanë bërë të mundur në Itali sekuestrimin e 2.225 kg substancë narkotikësh përzierës, në Shqipëri 1.817 kg, ndërsa në Kosovë, është dokumentuar për 2000 kg përzierës substancash narkotike.

Box
Rezultatet

Itali

26 persona të arrestuar

Sekuestruar 1102 kg marijuanë

9,6 kg heroinë

1 kg kokainë

2225 kg narkotikësh përzierës

2 skafe të sekuestruara

Shqipëri

57 persona të arrestuar

Sekuestruar 2384 kg marijuanë

54.5 kg heroinë

759 kg kokainë

1922 kg narkotikësh përzierës

2 pistoleta

4 skafe të sekuestruara

Box
Operacionet

1- Vlorë, më 13.07.2006, sekuestrohen 12 kg marijuanë, arrestohet një shtetas shqiptar.
2- Karaburun, më 29.07.2006, sekuestrohen 500 kg marijuanë dhe 1 pistoletë, arrestohen dy shtetas shqiptarë.
3- Durrës, më 28.08.2006, sekuestrohen 500 gr heroinë dhe arrestohet një shtetas italian.
4- Levan – Vlorë, më 10.09.2006, sekuestrohen 93. 780 kg marijuanë dhe një skaf.
5- Otranto, më 12.09.2006, sekuestrohen 278.5 kg marijuanë.
6- Vlorë, më 18.09.2006, sekuestrohen 60 kg marijuanë dhe arrestohen dy shtetas shqiptarë.
7- Vlorë, më 02.10.2006, sekuestrohen 800 kg marijuanë dhe dy skafe.
8- Vlorë, më 03.10.2006, sekuestrohen 93.224 kg marijuanë, tre autovetura si dhe arrestohen 12 shtetas shqiptarë.
9- Nartë, më 16.02.2006, sekuestrohen 475 kg marijuanë dhe një skaf.
10- Mifol, më 14.01.2007, sekuestrohen 221 kg marijuanë dhe arrestohen dy shtetas shqiptarë.
11- Fier, më 15.02.2007, sekuestrohen 97 kg marijuanë dhe arrestohen dy shtetas shqiptarë.
12- Vlorë, më 17.03.2007, sekuestrohen 340 kg marijuanë, një skaf dhe arrestohen katër shtetas.
13- Vlorë, më 21.04.2007, arrestohen katër shtetas shqiptarë mbi bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga Gjykata e Tiranës, në kuadër të procedimit penal të përbashkët me strukturat italiane të hetimit.
14- Korçë, më 13.08.2007, sekuestrohen 9.073 kg heroinë dhe arrestohet një shtetas.
15- Korçë, më 29.08.2007, sekuestrohen 12.714 kg heroinë, 759 gr kokainë dhe arrestohet një shtetas shqiptar.
16- Vlorë, më 12.09.2007, sekuestrohen 4.551 kg heroinë dhe arrestohet një shtetas.
17- Korçë, më 16.09.2007, sekuestrohen 10.790 kg heroinë, një pistoletë, 105,580 kg përzierës dhe arrestohen 3 shtetas shqiptarë.
18- Vlorë, më 26.09.2007, sekuestrohen 77.780 kg marijuanë dhe arrestohen tre shtetas shqiptarë.
19- Vlorë, më 27.09.2007, arrestohen 6 shtetas shqiptarë, për të cilët kishte një urdhër arresti lëshuar nga Gjykata e Tiranës.
20- Korçë, më 20.10.2007, sekuestrohen 55.721 kg marijuanë dhe arrestohet një shtetas shqiptar.
21- Korçë, më 02.11.2007, arrestohen 9 shtetas shqiptarë me urdhër arresti nga Gjykata Tiranë.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›