E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: “Rama, kundërshtari më i dobët që kemi pasur”

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vijuar turin e saj “NATO, ne ia dolëm" në Gruemirë dhe Hot të Shkodrës. Nga qyteti i saj, ajo ka deklaruar se asnjë qeveri nuk ka shënuar asnjëherë një rritje ekonomike siç ajo që ka arritur mazhoranca në këto katër vjet qeverisjeje. Më tej kryeparlamentarja ka sulmuar kryesocialistin Rama si një politikan bosh dhe pa substancë. "Unë nuk kam parë në këto 17 vjet asnjë nga kundërshtarët e mi politikë që të jetë më poshtë se kryetari i Bashkisë së Tiranës. Unë nuk kam parë një kundërshtar politik që të jetë pa substancë, si kryetari i Bashkisë së Tiranës, që të jetë pa ide, pa koncept, tamam si ato enët boshe, enë që bëjnë vetëm zhurmë. Ju e dini nga fizika se vetëm enët boshe bëjnë zhurmë, ashtu edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, e vetmja gjë që di të bëjë është të shpifë dhe të gënjejë, tamam si një gënjeshtar serial katër vjet rresht, katër vjet rresht përmes zëdhënësve të tij, brenda apo jashtë Parlamentit”, - u shpreh kryetarja e Parlamentit. Më tej, Topalli ka vlerësuar mbështetjen e Shkodrës për mazhorancën, ndërsa ka kërkuar mbështetjen për një mandat të dytë për të realizuar integrimin e Shqipërisë në BE. “Unë shfrytëzoj këtë rast për të ftuar secilin prej jush më 28 qershor, dita kur secili prej jush do të jetë më i pushtetshëm se kushdo tjetër. Më 28 qershor është në dorën e çdo qytetari, që vetëm duke shkuar për të votuar të zgjedhë rrugën e ndryshimeve të Shqipërisë, të zgjedhë rrugën e projekteve të mëdha të zhvillimit”, - tha ajo. Kryetarja e Kuvendit theksoi më tej se mbi 2 milionë dollarë fonde të buxhetit të shtetit janë derdhur për rikonstruksionin e akseve rrugore, shkollave, qendrave shëndetësore, ujësjellësve, kanaleve vaditëse e veprave të tjera publike në komunën Gruemirë dhe Hot. Kryetarja e Kuvendit, duke folur për rezultatet e reformave të shumanshme në këto 4 vjet që kanë ndryshuar imazhin e Shqipërisë në çdo cep, u ndal më tej dhe në zhvillimet ekonomike dhe ndryshimet në sektorin e arsimit. Ajo u premtoi banorëve se në mandatin e ardhshëm mazhoranca e djathtë do të vazhdojë të ketë në qendër të vëmendjes, mirëqenien e çdo shqiptari. Topalli ka marrë pjesë dhe në ceremoninë e përvjetorit të ngritjes së flamurit në Deçiq, më 6 prill të 1911, nga patrioti Ded Gjon Luli.
Ky lajm është publikuar: 14/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›