Kosova: Eksportuam në Shqipëri
aristir lumeziGazeta kosovare “Ekspres” publikoi dje një shkrim, ku thuhej se Koorporata Eenergjitike e Kosovës ka eksportuar energji elektrike drejt Shqipërisë në fund të dhjetorit 2009. Ky citim sipas kësaj gazete vjen direkt nga zëdhënësi i KEK, Viktor Buzhala, sipas të cilit kjo energji po i kthehet Shqipërisë. Sipas zëdhënësit të kësaj koorporate, cituar në “Ekspres”, “në ditët e fundit të muajit dhjetor, KEK-u i ka dhënë rrymë Shqipërisë maksimalisht”. Madje, thotë ai, deri në atë masë sa e durojnë kapacitetet e transmisionit. Sipas zëdhënësit të koorporatës kosovare, Shqipërisë, i është kthyer energjia elektrike e marrë më herët në formë shkëmbimi, gjatë muajit dhjetor, energji kjo e prodhuar nga mesnata e deri në orët e para të mëngjesit, për shkak se dhe konsumi i kërkesa për energji në Kosovë në këto orë është më e ulët. Pas publikimit të këtij lajmi, gazeta “Panorama” kërkoi nga Kooporata Elektroenergjitike Shqiptare nëse ishte i vërtetë ky shkëmbim i energjisë, duke kontaktuar direkt me drejtorin e koorparatës, Muharrem Stojku, i cili e hodhi poshtë një pretendim tillë si të pavërtetë. “KESH depoziton 5 milionë Kwh në ditë në Kosovë. Edhe sot vazhdon e njëjta sasi energjie që po dërgohet në Kosovë. Që nga dhjetori nuk kemi marrë energji nga KEK”, u shpreh Stojku. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të KESH, “në situatën aktuale është e pamundur që linjat tona të bëjnë hyrje të energjisë, pasi ato vetëm eksportojnë”. E gjendur para kësaj situate, “Panorama” kontaktoi me zëdhënësin e KEK, Buzhala i cili ishte njohur me shkrimin e botuar në “Ekspres” dhe e cilësoi deklaratën e tij të botuar në këtë gazetë si të keqcituar. “E kam parë gazetën ‘Ekspres’ dhe dua t’ju them se deklarata ime është keqcituar, pasi unë kam shprehur të kundërtën. Unë kam thënë se KEK ka ulur kapacitetin e saj prodhues për të ndihmuar KESH në këtë situatë, duke importuar energji elektrike. Unë për këtë publikim do të bëj dhe një përgënjeshtrim”, u shpreh Buzhala. Por stafi i “Ekspres” këmbënguli se deklarata e zotit Buzhala është autentike dhe nuk ka pësuar asnjë deformim. Kryeredaktori i “Ekspres” Berat Buzhala tha dje për “Panorama” se ka në e mail-in e tij deklaratën e zëdhënësit të KEK, e cila, sipas tij, nuk ndryshon aspak nga ajo që gazeta që ai drejton ka botuar dje. Ne kontaktuam mbrëmë dhe me drejtorin e Transmetimit të KEK, Fadil Ismaili, i cili ishte jashtë Kosovës, në Bullgari dhe nuk kishte lexuar shtypin e ditës rreth kësaj çështjeje. Ismaili u shpreh se eksporti i energjisë nga Kosova drejt Shqipërisë nuk ka sens, pasi situata hidrike në Shqipëri nuk e kërkon një gjë të tillë dhe u shpreh se do të verifikonte deklaratat e bëra nga zyrtarët e KEK. Ky debat bëhet kur prodhimi i energjisë në vend nga KESH është në kuotat më të larta të regjistruara ndonjëherë rreth 28 milionë Kwh.