Shkodra vihet nën pushtetin e ujërave
SHKODER/ RIdVAN DIBRAMegjithëse sasia e prurjeve është ulur ndje-shëm gjatë ditës së martë e kryesisht në zonën e Bahçallëkut, një gjë e tillë nuk është ndier fare në lagjen hyrëse të qytetit të Shkodrës si dhe në shtëpitë e rajonit të livadheve të bregut të liqenit. Ulja e nivelit shpjegohet me faktin se në pjesën e sipërme të kaskadës së lumit Drin ka pasur një sasi të paktë reshjesh dhe prurjesh anësore. E kundërta ndodh në qytet, ku shiu i rënë ka bërë që niveli i ujit në rrugën hyrëse të qytetit të pësojë rritje me rreth 20 cm, duke qenë një nga shqetësimet më të mëdha jo vetëm për autoveturat që hynin e dilnin nga Shkodra por edhe për njësitë tregtare që janë në këtë zonë. Një pjesë e mirë e tregtarëve janë munduar që me anë të thasëve me rërë të mund të bllokojnë rritjen e nivelit të ujit në trotuare, i cili më pas do të vërshonte në drejtim të njësive tregtare. Ndërkohë që rritja e nivelit të ujit në pjesën hyrëse të urës së Bunës ka bërë që për rreth 3 orë të bllokohet qarkullimi i autoveturave dhe fuoristradave në dy anët e urës, pasi lartësia e ujit të saj nga ana e qytetit kishte arritur në nivelin e 50 cm. Kjo ka detyruar drejtuesit e ndërmarrjes së rrugëve që të ndërhyjnë me urgjencë, duke vendosur disa elemente betoni dhe më pas të shtrojnë çakull. Ndërmarrja e këtyre veprimeve e ka bërë të kalueshme këtë pjesë hyrëse dhe dalëse për në drejtim të urës së Bunës. Vështirësi në qarkullim ka pasur edhe zona e Shirokës, ku drejtuesit e shtabit të emergjencave kanë vendosur vënien në dispozicion të banorëve një mjet transporti ushtarak për të bërë transportin e njerëzve nga Shkodra në drejtim të Shirokës dhe anasjellas. Ky mjet do të kryejë një itinerar të tillë çdo dy orë. Fshatrat Tashmë duket se problemet nga komuna e Dajçit i janë përcjellë asaj të Velipojës ku gjatë ditës së djeshme ka pasur sërish probleme. Shtatë fshatra në këtë komunë nuk kanë energji elektrike, ndërkohë që me qindra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Forcat e ushtrisë kanë vazhduar sërish punën për forcimin e argjinaturës së çasit, ndërkohë që një pjesë e mirë e banorëve të kësaj zone janë evakuuar nga frika e rritjes së nivelit të ujit dhe kapërcimi i argjinaturës për të depërtuar brenda zonës së banuar. Kjo do të përbënte një kërcënim serioz për jetën e banorëve dhe të pasurisë së 4 fshatrave që ndodhen pranë kësaj argjinature. Prej disa ditësh, ushtria ka ndërmarrë aksionin për sigurimin e argjinaturës, por reshjet e shiut si dhe mosulja e nivelit të lumit ka shkaktuar dhe frikën e banorëve. Ndërkohë që në fushat e Trushit, stacioni i ujësjellësit do të fundoset plotësisht nëse niveli i ujit rritet me 20 cm të tjera. Ky stacion furnizon me ujë të pijshëm 11 fshatra të komunës së Velipojës si dhe zonën e plazhit. Ky stacion u ndërtua vitin e kaluar. Portat e tij janë izoluar me thasë me rërë ndërkohë që me anë të motopompave të ndryshme punohet për nxjerrjen e ujit nga salla e pompave. Prej një jave janë 4 punonjës dhe drejtori i kësaj ndërmarrjeje, të cilët janë të ngujuar në përpjekje për të mbajtur në gjendje pune këtë stacion.