Përmbytet dhe “Legjenda”, lokali ku u takuan tre presidentët
SHKODER – Dhjetëra biznese kanë pësuar dëme të mëdha nga përmbytja. Një prej tyre është dhe lokali “Legjenda”, i cili ndodhet në trekëndëshin që kufizohet nga lumenjtë Buna dhe Drin. Jo vetëm dëme në lokal, por dhe në shtëpinë e familjes së Ludovik Kirit, në pjesën e pasme të lokalit janë shkaktuar nga uji. Kiri, një prej pronarëve të “Legjendës”, ku në vitin 2007 piu kafe presidenti shqiptar me atë kroat e malazez, thotë se dëmi është i pallogaritshëm. Ai shton se ndërtesa ishte siguruar vetëm në rast fatkeqësish si tërmet apo zjarr, pa menduar se fatkeqësia do të vinte nga uji. Kur u përmbyt lokali juaj? Uji në lokal ka hyrë më datë 5 janar. Pra tre ditë pasi u mor vesh se do të vërshonte uji. Në fakt, me të mësuar mbi lajmin e ardhjes së ujit morëm disa masa duke i ngritur rrobat dhe pajisjet rreth 40 cm nga toka. Por askujt nuk ia mori mendja se uji do të arrinte nivele të tilla. Edhe pse uji sot ka rënë 10 cm, në disa vende ai arrin në 80 cm i thellë. Megjithëse vendi ku ne kemi ndërtesën ka qenë ndërtuar prej kohësh, por një nivel të tillë uji nuk është parë asnjëherë. Sa ka qenë investimi fillestar dhe sa mendoni që është dëmi i shkaktuar? Ju vetë keni bërë ndonjë inventar? Investimi fillestar që ne kemi bërë për hapjen e këtij biznesi familjar mendohet të ketë arritur në 200 mijë euro. Ndërsa në lidhje me dëmet ne e kemi bërë një inventar paraprak, thjesht sa për ta ditur se ku jemi dhe kemi parë ai përllogaritet në rreth 50 mijë euro. Nga kjo përmbytje nuk ka shpëtuar asnjë pajisje elektrike e lokalit si dhe të shtëpisë sonë që kemi në pjesën e prapme të lokalit, si: frigorifer, lavatriçe, makina qepëse, hekurosjeje, pajisje dhe orendi shtëpie etj. Këtu kemi futur dëmin aktual, pasi në ditët në vazhdim ky dëm do të vazhdojë të jetë më i madh. Kjo, pasi një pjesë e arredimit të brendshëm të lokalit është me dru dhe dihet që më pas do të fillojnë dëmtimi i tyre. Por, për të qenë të sinqertë sado që të jetë vlefta monetare edhe sikur ajo të dëmshpërblehet 100 % nga shteti, askush nuk do të jetë në gjendje të ma dëmshpërblejë stresin e familjes sime që kam kaluar dhe po kaloj gjatë këtyre ditëve. Keni qenë të siguruar në ndonjë kompani sigurimi? Në fakt ne, duke qenë se kemi pasur një biznes të rregullt kemi bërë një sigurim të ndërtesës dhe të pajisjeve, por kemi bërë vetëm sigurim në raste fatkeqësish si: tërmete apo në rast të rënies së zjarrit. Por fatkeqësisht nuk e mendonim se do të kishim dëme të tilla nga uji se po ta dinim do ta bënim edhe një sigurim të tillë. Gjatë kësaj kohe ka ardhur ndokush e ju ka vizituar nga shtabi i emergjencave? Megjithëse e dimë se është ngritur një shtab emergjence, por gjer tani askush nuk ka ardhur për t’u kujtuar se si i kemi hallet apo çfarë nevojash kemi. Unë nuk kam nevojë të më japin ndihma apo një kafshatë bukë, se për atë jam i zoti i vetes, por të paktën të vijë dikush e të bëjë një vlerësim të dëmeve që na janë shkaktuar.