E Diel, 1 Nëntor 2026

“Unë, varkëtari, që shpëtova nga mbytja 8 familje e bagëtitë”

 Nga i dërguari ynë, Ferdinand Dervishi“Ky është hero. Nuk është as polic, as ushtarak, por ka tetë ditë që punon pa bërë asnjë pushim me barkë, që nxjerr njerëz e bagëti nga zonat e përmbytura, pa asnjë shpërblim, pa i kërkuar kujt asgjë...” Një nga ushtarakët, që ndihmon ankorimin e mjeteve lundruese tek Ura e Goricës në Muriqan, e nxjerr me zë të ulët këtë gjykim nga goja. Sikur t’ia përsërisë vetes për ta ngulitur më shumë, për ta pasur në memorie më gjatë, në shenjë respekti. Njeriu që i afrohet tokës me një varkë të bollshme llamarine, në brendësi të së cilës gjenden dy gra dhe dy lopë, që dridhen nga të ftohtët e nxjerrin avull nga lëkura, megjithë veshjen e bollshme plastike, që e ruan nga uji, duket i hollë e i brishtë, si një stekë bilardoje. Aspak mbushmendës për epitetimin “hero”. Mbërritur në tokë, mësohet se ai për të cilin oficeri pëshpërit fjalë të bekuara quhet Naim Xhaka, se është pronar i një lokali modest, jo shumë larg venddislokimit të ushtrisë e policisë në Muriqan, nga ku drejtohet trafiku i skafeve e varkave, që ndihmojnë zonat e përmbytura të Nënshkodrës, se punon si shofer furgoni dhe se nuk ka ndonjë lidhje të veçantë me barkat dhe ujin. Nuk është hera e parë që ndodh, kur në këtë botë, pranë çdo historie tragjedie të pazakontë, pranë tmerrit, katastrofës, kasaphanës, gjendet gjithmonë një engjëll mbrojtës, që sikur mbin nga dheu apo sikur dërgohet nga vetë Zoti, i pamundur të bëjë më tepër. E ngjashme është edhe historia e Naim Xhakës. Mesnatën e ndërrimit të datave 6 dhe 7 janar 2010, në kohën që fshati Obot u gjend i përmbytur nga më shumë se një metër ujë, ai ka qenë ndër të paktët që u kanë ardhur në ndihmë njerëzve që e kërkonin atë me dëshpërim. Atë natë ata i kishin rënë pambarim numrit të tij të celularit, duke i treguar se ishin duke u mbytur bashkë me bagëtitë dhe duke i’u përgjëruar për ndihmë. Po atë ditë, në vijim të magjisë së pashpjegueshme, dikush kishte lënë pranë lokalit të tij një varkë llamarine të bollshme, që Naimit i ishte dukur si një dhuratë nga qielli. Kështu një njeri, një varkë si e ardhur nga qielli dhe një motor i vogël, vetëm 4.5 kuaj/fuqi, ishin nisur për në Obot, përkundër rrjedhës së Bunës, në formën e shpresës më të madhe.Zoti Naim, na bënë përshtypje fjalët e mira të një oficeri ushtrie në adresën tënde, aty tek Ura e Goricës, në kohën kur nxore atë familjen me dy lopët. Na tha se ke tetë ditë që evakuon familje bashkë me bagëtitë e tyre vetëm për bamirësi. është kështu? Si nisi kjo histori?  Eh, pak a shumë. Edhe e zmadhon ai oficeri, se është njeri shumë i mirë. Gjithçka nisi natën, atë natë kur u lëshua uji nga hidrocentralet. Niveli u ngrit papritur në mbrëmje dhe gjithë zona u përmbyt. Unë isha në lokal, kur nisi të më binte pambarim celulari. Banorë të Obotit, miq të mi, më kërkonin ndihmë. Më thoshin të gjeja një barkë dhe të shkoja t’i ndihmoja se po mbytesh bashkë me bagëtitë. Se këtej me bagëtitë rrojnë, me qumështin e tyre që shesin, prandaj dhe u dhimbsen, si të ishin njerëz. Unë kisha një varkë të vogël, por ato ditë ia kisha dhënë një miku. Kështu që në fillim u thashë se nuk kam mundësi. Një çast më vonë u kujtova se në një parking të vogël, që gjendet ngjitur me lokalin tim, dikush kishte lënë një varkë të madhe llamarine, me gjithë karel, nga ato që dikur përdoreshin në Liqenin e Shkodrës për trafik autoveturash nga Mali i Zi. Nuk e dija se kush e kishte lënë, as kur e kishin lënë, por edhe nuk i kisha kushtuar rëndësi, sepse fundja, ai parking ishte. Pastaj, kur në telefon dëgjova përgjërimet e miqve të mi të Obot, më tha mendja ta merrja varkën dhe të nisesha. I dhashë udhë mendimeve duke i thënë vetës se nuk do më vriste njeri, po të përdorja pa leje një barkë, aq më tepër për të shpëtuar njerëz. Me mëdyshje e hodha në ujë, se ai kishte mbërritur tashmë këtu poshtë lokalit tim dhe i montova një motor të vogël, që kisha në shtëpi, me 4.5 kuaj/fuqi. Me mëdyshje, për mundësitë e vogla, apo pafuqinë e motorit për të shtyrë përpara gjithë atë varkë, por u nisa. Cila ishte familja e parë që nxorët?Nuk është se i njoh mirë banorët e Obotit. Më shumë më njohin ata mua, se kam punuar si shofer në linjën e furgonave që të çojnë në këtë fshat. Mos gaboj, familja e parë që nxora në tokë ishte e Pashuk Gocajt. Ishte njeriu që i binte më shumë numrit të celularit tim. Kur shkova te shtëpia e tij pashë se me të vërtetë e kishin pisk punën. Uji u vinte lopëve gati afër qafës, ndërsa dy derrat i kishin lidhur mbi dy drurë, në lartësi. Me të keq, për shkak të motorit të pafuqishëm, i nxora të gjithë me njerëz e me kafshë, me një rrugë të vetme. Ishte hera e parë që dolën kafshë me varkë nga Oboti. Pasi i lashë ata, shkova të nxirrja një tjetër familje, se i gjithë Oboti mësoi se Naimi kishte nxjerrë lopë me varkën e tij dhe nisën të më merrnin në telefon: “Naim, eja të na heqësh lopët!” Kështu deri në mëngjes. Në mëngjes më panë ata policët e RENEA-s, që nxora varkën e radhës plot me njerëz dhe kafshë dhe mbetën të habitur. Në këtë kohë më shkoi mendja t’u kërkoja atyre një motor më të madh. U thashë: “Doni të bëni sevap, më jepni një motor më të madh”. Ata më qanë hallin dhe më dhanë një motor “Yamaha” me 25 kuaj/fuqi. Këtë që po përdor ende. Kështu kam punuar për tetë ditë me radhë. Nuk e di sa njerëz e bagëti kam nxjerrë në breg, por me saktësi di që tetë familjeve pothuaj u kam shpëtuar jetën, sepse i kam gjetur në kushte që nuk mbanin më, të zhytur me njerëz e kafshë në ujë. Po historia e varkës? I doli i zoti?Po. Dy ditë pasi e kisha hedhur në ujë, më merr dikush në telefon dhe më thotë se duhet t’i ktheja varkën. U interesova dhe mësova se ai nuk e kishte të tijën, por të policisë. Pra atij ja kishte dhënë policia ta përdorte për të nxjerrë familjen e vet. Ky miku kishte mbaruar punë dhe e kishte lënë te parkingu i lokalit tim. Fola me ata të RENEA-s dhe e zgjidhëm që unë të vazhdoj të mbaj varkën. Madje këta djemtë e RENEA-s, që tashmë i kam bërë miq, më kanë premtuar që pasi gjithçka të sistemohet, të më bëjnë dhuratë motorin. Do e pranoja me gjithë qejf, sepse është vërtet i mirë dhe nuk të lë në baltë. Ai motor më ka shpëtuar jetën.Si ju ka shpëtuar jetën?Sepse të ngarkosh njerëz në varkë është e thjeshtë, por po të ngarkosh lopë, është shumë e vështirë dhe mund të përmbysesh. Kështu që po të kesh një motor të pafuqishëm në varkë, nuk manovron dot, ndërsa me këtë që kam, unë arrij të bëj lëvizjet që dua për të shmangur tragjeditë. Kam shpëtuar edhe dy banorë në dy raste të ndryshme që ranë në ujë. Sepse uji në Obot shkon edhe dy metër thellësi, ndërsa ky kostumi plastik, që kemi veshur të gjithë, nëse mbushet me ujë, të tërheq poshtë. Peshkatarët që e përdorin, mbajnë gjithmonë një thikë me vete, që në rast se bien në ujë, të presin lidhëset në qafë dhe ta heqin. Pastaj uji i Bunës këto ditë ka qenë i ftohtë. Në këto kushte, po ra në ujë, njeriu vdes më shpejt nga të ftohtët. Mund t’i pushojë zemra, ose të vdesë pas pak sekondash, kur trupi ftohet. Rasti i parë kur shpëtova nga mbytja një njeri ndodhi para tri ditësh, kur po imbarkonim një familje tjetër në Obot bashkë me bagëtinë. Ishin edhe dy të RENEA-s, që më ndihmonin. Duke futur në varkë një nga lopët, ajo hodhi në ujë të zotin, një plak rreth 60 vjeç. U detyrova të zhytesha edhe unë për t’i shpëtuar jetën. Edhe dje pata një rast të ngjashëm. U hodha në ujë që të nxirrja një 50-vjeçar, që u rrëzua edhe ai nga kafshët. Kur ra, e kapi nga rrobat një tel nga ata që mbajnë hardhitë dhe desh u mbyt po të mos e kisha ndihmuar. Kështu po shkon (vë buzën në gaz).Naim, ju shkoni përditë nëpër shtëpi të përmbytura, thoni se çoni edhe ndihma. Si jetojnë njerëzit në këto shtëpi?Si jetojnë? Flenë bashkë me lopët, ndanë tyre. është e vërtetë se banorët e Obotit i kanë ndërtuar shtëpitë mbi bazamente që në shumicën e rasteve janë 1.5 metër të lartë, për të shpëtuar nga përmbytjet, por hauret e lopëve dhe bagëtive të tjera nuk i kanë ndërtuar në lartësi. Kështu që menjëherë pas përmbytjes, ata i kanë marrë lopët dhe bagëtitë e tjera në shtëpi. U kanë liruar nga një dhomë, i kanë lidhur pas këmbëve të mobiljeve dhe jetojnë bashkë me to. Kam parë edhe skena të dhimbshme, në shtëpi ku uji është futur. Ku njerëzit flenë përmbi mobiljet e tyre, ndërsa kafshët në këmbë.Sipas jush, përse nuk dëgjojnë të evakuohen një pjesë e banorëve?Sipas meje sepse janë shumë të lidhur me bagëtinë. Ata nuk kanë besim se shteti ua paguan, në rast se lopët mbyten. Një lopë e mirë kushton gati dy milionë lekë të vjetra. Sepse jetojnë me qumështin e tyre, që ua shesin baxhove të djathit. Pastaj edhe nuk kanë ku t’i çojnë. Te miku mund të vesh me familjen dhe të rrish disa ditë, por po të shkosh edhe me lopët e bagëtitë e tjera është krejt ndryshe dhe e papranueshme për mendësinë e banorëve të zonës. Nuk të pret njeri në shtëpi bashkë me bagëtitë. Nuk jam shumë i sigurt, por mbase kjo i ka trembur dhe për shkak të këtij fenomeni nuk duan të dalin nga shtëpitë e tyre. Ndërsa për një gjë jam i bindur. Jam i bindur se shteti do e kishte zgjidhur situatën e evakuimit po t’u kishte mbledhur lopët banorëve dhe t’ua kishte siguruar diku në një stallë të madhe. Po të ishte bërë kjo, me siguri të gjithë banorët e kësaj zone do kishin dalë nga uji. Këtë e them me siguri. Naim, do vazhdosh t’u shërbesh kështu të përmbyturve, pa asnjë shpërblim?Unë do vazhdoj sa të mundem. Sepse vazhdojnë të më thërrasin: “Hajde, se niveli është rritur. Hajde na merr bashkë me lopët”. Do vazhdoj edhe pse kam idenë se ka edhe njerëz që nuk e pëlqejnë këtë që po bëj.Si nuk e pëlqejnë?Po ja. Para dy ditësh, në mëngjes, më ndodhi një incident. Shkova të ndizja motorin, por kjo nuk ndodhi. E hapa dhe i shqetësuar vura re se dikush kishte prerë me thikë fijet që sjellin korrentin nga bateria. Fola me ata të policisë dhe të ushtrisë që ruajnë varkat, por ata nuk kanë asnjë arsye. Atëherë mendova se është vepër e ndonjë civili. Se këtu ka varkëtarë që punojnë me lekë. Pra e kanë bërë mbase sepse unë punoj pa lekë. Megjithatë nuk po e vras shumë mendjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›