Ndahen ushqime, çizme e çadra për banorët
Gjatë ditës së djeshme, nëpërmjet helikopterëve italianë të transportit në Dajç janë shpërndarë 10 tonë ujë, 700 pako ushqimore, 5 tonë koncentrat për bagëtinë, 100 pelerina, 50 çadra dhe 100 çizme. Ndërsa në Velipojë 400 pako me ushqime. Ministri Mbrojtjes, Arben Imami gjatë vizitës së tij në Velipojë është shoqëruar dhe nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, i cili nga ana e tij ka shprehur ndihmën e qeverisë kosovare në këto ditë të vështira për rajonin e Shkodrës. Në Bushat, është bërë shpërndarja e 450 pakove me ushqim dhe tre tonë ujë, 3 tonë koncentrat për bagëtinë, një gjenerator për 50 familje dhe do të jetë në dispozicion një lundër me motor. Furnizimet kanë vazhduar dhe gjatë orëve të pasdites, duke çuar dhe tek familjet që janë të evakuuar në ambientet e siguruara nga Bashkia e Shkodrës.