I arrestuari për trafik armësh në gjyq: Pakti me agjentin e infiltruar
TIRANE - Blerim Mehaj, një prej të arrestuarve nga operacioni "Parashuta" në janar të këtij viti në Bushat pranoi dje para gjykatës shitjen e granatave, por përjashtoi faktin e bashkëpunimit me të pandehurit e tjerë. "Për granatat jam përgjegjës unë, por nuk kam bashkëpunuar me njeri", u shpreh Mehaj përpara pesëshes gjykuese të Gjykatës për Krimet e Rënda. Në seancën e djeshme, në ngarkim të Blerim e Flamur Mehajt, Bajram Çelepisë dhe Ismail Gjoretës të akuzuar për "trafik të armëve dhe municionit", të pandehurit dhanë deklarimet e tyre para gjykatës. Blerim Mehaj tregoi se në datën 16 janar të këtij viti, një person me emrin Beni e kishte marrë në telefon dhe kishte kërkuar të pinte një kafe me të. "Pas telefonatës u takova me të në një lokal në Bushat", u shpreh ai. Sipas tij, personi që kishte takuar i kishte kërkuar t'i blinte granata e municione. "I thashë se nuk kisha ku t'i gjeja por ai ngulte këmbë. Kur u ndamë më tha 'm'i gjej se do vij të të takoj prapë". Sipas Mehajt, pas dy ditësh ai e kishte takuar sërish personin me emrin Beni në një lokal tek ura e Bunës. "Më drejtuan 5000 euro për municionet që kërkonin. I thashë që kisha disa municione të vjetra në shtëpi, po nuk e dija nëse bënin apo jo. Pasi ramë dakord, pak ditë më vonë lamë të takoheshim për shkëmbimin. Unë kisha 35 granata dhe dy kuti po me granata, të cilat i mbaja të fshehura që prej vitit 1997", u shpreh ai. Për ditën e arrestimit, Mehaj tregoi se kishte takuar Benin te kompleksi "Argenti", ku i kishte treguar për numrin e granatave. Aty ai kishte marrë prej tij, 2.4 milionë lekë të vjetra. Pas takimit ai ka shkuar në shtëpi ku ka lënë një pjesë të parave dhe është kthyer së bashku me granatat të futura në një thes. "I kërkova Flamur Metajt të më çonte me motorin e tij deri në Bushat, te kompleksi "Argenti". Flamuri nuk dinte se çfarë kisha në thes", sqaroi Mehaj. I pyetur për të pandehurit e tjerë, Mehaj pohoi se Çelepine nuk e njihte fare, ndërsa Gjoretën e kishte të afërm të bashkëshortes. Ai mohoi përpara gjykatës të ketë kryer telefonata për trafik armësh me të pandehurit e tjerë. Blerim dhe Flamur Mehaj, u arrestuan në flagrancë nga policia më 22 janar, teksa po shisnin municione një efektivi të infiltruar. Në momentin e arrestimit u janë sekuestruar si provë materiale: granata dore ofensive, defensive dhe kundra tank, ndezës granatash, si dhe 80 mijë lekë të reja të përfituara nga trafikimi i armëve. ar.ba