E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonata mister, vetëvritet gardisti

 

Dashamir Biçaku

Vret veten me armën e shërbimit në vendosjen e repartit në Tiranë, ushtari i Gardës së Republikës. Gëzim Adri, 19 vjeç, nga Korça, ushtar shërbimi prej tre muajsh në Gardën e Republikës, i dha fund jetës mbrëmjen e të mërkurës në ora 22:00. Ai ka vendosur siguresën e armës në pozicionin për të qëlluar me breshëri e më pas ka shkrehur këmbëzën, duke qëlluar veten në  pjesën e poshtme të mjekrës. Forca e ushtruar mbi këmbëzën e armës ka zgjatur aq sa Kallashnikovi të shkrehej plot tri herë, duke lënë të vdekur në vend 19-vjeçarin nga Korça. Specialistët e Policisë dhe të Gardës së Republikës filluan menjëherë hetimin për të zbardhur motivet dhe shkaqet e ngjarjes, të cilat mbeten ende të paqarta. Dyshimet e para të hetuesve për shkakun e ngjarjes, lidhen me probleme personale të ushtarit pasi, sipas dëshmive të mbledhura, viktima i ka dhënë fund jetës pas një komunikimi telefonik me të afërmit e tij të familjes që jetonin në qytetin e Korçës. Hetuesit kanë kryer veprimet e para hetimore, sipas të cilave 19-vjeçari Adri, ka bërë qitje me armën e tij të shërbimit. Sipas policisë, arma është mbështetur në pjesën e poshtme të mjekrës dhe më pas është kryer qitje me breshëri. Në vendin e ngjarjes ekspertët kriminalistë kanë gjetur dhe administruar tri gëzhoja arme automatike model 56, si dhe predhat përkatëse.
Vetëvrasja
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 22:00, në repartin e Gardës së Republikës në Mullet, që merret me përgatitjen e efektivëve të shërbimit. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit, e cila tha se ushtari 19-vjeçar, Gëzim Adri, ka kryer vetëvrasje me armën e tij të shërbimit në vendin e rojës së repartit ku shërbente. Garda e Republikës, ka pohuar se me hetimin e kësaj çështjeje po merret policia e kryeqytetit, si dhe Prokuroria e rrethit të Tiranës. Ushtari Gëzim Ardi, sipas burimeve të policisë, kishte marrë kishte marrë shërbimin në orën 20:00 dhe duhej t'ia dorëzonte atë kolegut të tij dy orë më pas. Disa minuta përpara se të merrte shërbimin ushtari që kreu vetëvrasje ka mbushur armën e tij të shërbimit, një automatik AK- 47 model 56 (Kallashnikov). Sapo ka kaluar siguresën nga pozicioni i qitjes me plumba tek në atë me breshëri, ai ka vendosur armën në tokë dhe është mbështetur mbi të. Sipas burimeve të policisë dhe të grupit hetimor, 19-vjeçari ka kryer shkrepjen e armës me dorën e djathtë, duke marrë një shkrepje me breshëri. Nga ky veprim, sipas policisë, janë qitur tre fishekë, me drejtim hyrës poshtë mjekrës dhe dalës në kokë. Specialistët e hetimit dhe ekspertët e policisë kanë bllokuar në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes, armën e shërbimit të ushtarit me të cilën edhe është kryer vetëvrasja.
Hetimi
Në këmbëzën e saj, në qytën e armës, në grykën e saj, policia ka administruar disa gjurmë gishtash që i përkasin viktimës. Nga krahasimi shkencor është konfirmuar se shenjat ishin të njëjta me ato të marra nga pëllëmba e 19-vjeçarit. Kjo ka bërë që policia ta klasifikojë ngjarjen si vetëvrasje të pastër. Paralelisht me këqyrjen e vendit të ngjarjes, hetuesit kanë marrë dëshmi të shokëve të ushtarit si dhe eprorë të tij. Ata kanë pohuar se pak përpara se të merrte shërbimin, viktima kishte pasur një komunikim me familjen me anë të telefonit. Kështu së paku kanë pohuar hetues të policisë së kryeqytetit, për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e të mërkurës në Mullet, në repartin e Gardës së Republikës. Provat dhe elementët e tjerë hetimorë, janë përcjellë nga policia e Tiranës në prokurori. Të dhënat po përpunohen me qëllim për të zbardhur motivet dhe shkaqet e vetëvrasjes dhe për të zbuluar nëse ka pasur elementë të veprës penale të shtyrjes në vetëvrasje.

Garda: Lajmëruam policinë po presim fundin e hetimit

TIRANE- Garda e Republikës pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e të mërkurës në ambientet e një prej reparteve të saj në Mullet, ka pohuar se menjëherë për këtë ngjarje është njoftuar Policia e Shtetit. Sipas zëdhënësit të këtij institucioni, i gjithë hetimi i është lënë në dorë tashmë strukturave përkatëse, Policisë dhe Prokurorisë, të cilët kanë edhe atributet e kryerjes së hetimit. "Ne jemi në pritje të përfundimit të hetimeve që po kryejnë, organet përkatëse, duke qenë se ne nuk kemi mundësi dhe atribute të kryejmë veprime të tilla", - pohoi dje për gazetën "Panorama", zëdhënësi i Gardës, Altin Prendi. Fillimisht ngjarja është verifikuar nga drejtuesit e repartit të Mulletit. Këta të fundit më pas menjëherë kanë lajmëruar eprorët e tyre në kryeqytet, për ngjarjen dhe masat e marra mbi të. Specialistët e Gardës kanë mbërritur atje bashkë me një grup hetimi dhe ekspertësh kriminalistë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe të Prokurorisë.         d.b

Dëshmitarët: Përkeqësimi pas telefonatës

TIRANE - Personat e pranishëm në repart në kohën kur 19-vjeçari nga Korça ka kryer vetëvrasjen me armën shërbimit, u kanë pohuar hetuesve se gjendja e gardistit kishte ndryshuar pas një telefonate në celular që ai ka pasur me familjen e tij që ndodhet në Korçë. Sipas dëshmitarëve të pyetur në polici, ata nuk kanë mundur të deshifrojnë ndonjë bisedë apo të dhënë konkrete rreth telefonatës, por mërzitja dhe përkeqësimi i humorit të 19-vjeçarit ka qenë i dukshëm. Rreth 30 minuta pas kësaj telefonate mësohet se ka ndodhur vetëvrasja e gardistit, në kohën kur kolegët kanë dëgjuar tri krisma në breshëri dhe janë drejtuar menjëherë te vendshërbimi ku ndodhej viktima. Ai është gjetur pa jetë pranë armës që kishte përdorur, me qëllim realizimin e vetëvrasjes. Pritet që hetuesit të marrin në pyetje familjarët dhe të afërmit e ushtarit, me qëllim që të zbardhin temën e bisedës që ai ka kryer në telefon gjysmë ore para se të qëllonte veten me armën e shërbimit në Repartin e Gardës në Mullet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›