E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia mësyn në stoqet e kromit

 

BULQIZE / HASAN PASHA

Forca të shumta policie u përpoqën dje të largojnë banorët e shumtë të Bulqizës nga stoqet e kromit, ndonëse pa ia dalë dot t'i shkëpusin nga i vetmi mjet mbijetese. Ngjarja e një dite më parë, ku i riu Kujtim Miftari u plagos rëndë me një granatë që fshihej mes gurëve të kromit, ka imponuar drejtuesit e policisë së qarkut Dibër të urdhërojnë marrjen e masave për largimin e njerëzve nga këto stoqe, të cilat herë pas herë kanë sjellë fatkeqësi për bulqizakët.
Drejtuesit e policisë lokale me në krye shefin e komisariatit, Mirash Loci, efektiva të grupit të gatshëm dhe punonjës të rendit janë ngjitur që në orët e para të mëngjesit në zonën e parë të minierës së kromit, pikërisht atyre ku konfliktet janë më të shumta dhe ku numri i banorëve që mbledhin krom në rrugë të paligjshme është më i madh. Mbërritja e forcave të policisë nuk ka sjellë asnjë ndryshim të situatës. Mbi 60 persona kishin udhëtuar në drejtim të stoqeve të kromit dhe vazhdonin punën normalisht. Mbërritja e forcave të policisë është pritur me indiferencë nga njerëzit që mblidhnin krom për llogari të firmave private. Thirrjeve të shumta të policisë për t'u larguar nga stoqet e kromit banorët e varfër të Bulqizës nuk kanë preferuar t'u përgjigjen, por kanë vijuar normalisht punën. Burime pranë policisë lokale sqarojnë se ata nuk kanë pasur urdhër t'i largojnë njerëzit forcërisht nga stoqet e kromit. Banorët që vazhdojnë prej vitesh grumbullimin e kromit në rrugë të paligjshme e dinë se policia në asnjë rast nuk ka ndërhyrë me forcë për largimin e tyre. Ndërkohë mësohet se dje mbërritje e forcave të policisë në stoqet e kromit lidhet me ankesat e shumta të firmave private të kromit dhe minierës ruso-austriake. Pakësimi i kromit në stoqet afër qytetit i ka imponuar ata të ngjiten deri në zonën e parë, rrëzë malit, duke vënë kështu në rrezik jetën. Drejtues vendorë të Bulqizës janë shprehur dje se disa herë kanë vënë në dijeni policinë lokale për gjendjen e krijuar dhe kanë kërkuar ndërhyrje për largimin e njerëzve, duke parandaluar kështu ndonjë ngjarje tjetër tragjike dhe duke ulur konfliktet mes firmave private të kromit që blejnë po në rrugë të paligjshme kromin që mbledhin qytetarët e Bulqizës. Mësohet gjithashtu se në afërsi të minierave dhe stoqeve të kromit, sidomos në zonën e parë, njerëz të përfshirë në konflikte për kromin, kanë fshehur armë e municione, të cilat në jo pak raste janë vënë në përdorim nga rivalët në tregtinë e kromit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›