Emigrantët, protesta në Vjenë para OSBE
Protestat për votën e lirë janë zhvilluar edhe jashtë Shqipërisë. Dje një grup studentësh dhe bashkatdhetarësh me banim në Austri, u mblodhën dhe protestuan para selisë së OSBE-së në Vjenë. Protestuesit u shprehën se janë në unison të plotë me atë që kërkojnë deputetët në grevë urie, të cilët kanë ndërmarrë sakrificën sublime për t'i thënë jo vjedhjes dhe manipulimit të votës së lirë nëpërmjet një Kodi Zgjedhor, që po monopolizon gjithë procesin zgjedhor nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste. Ashtu si dhe protestuesit para godinës së Parlamentit shqiptar në Tiranë, edhe studentët dhe pjesëmarrësit në takim mbanin në duar pankarta, ku kërkonin angazhimin e OSBE-së në garantimin e standardit të gjithëpërfshirjes dhe transparencës në procesin e përgatitjes së Kodit Zgjedhor, standard që është injoruar plotësisht nga dy partitë PD e PS, slogane të tjera kundër korrupsionit politik, si dhe një kërkesë drejtuar OSBE-së që të shpëtojë zgjedhjet në Shqipëri nga manipulimi. "OSBE të ndalojë krimin me votën", "OSBE të shpëtojë zgjedhjet në Shqipëri", ishin disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar para selisë së OSBE-së në kryeqytetin austriak. Pjesëmarrësit në këtë tubim nënshkruan një peticion, të cilin ia paraqitën Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së në Vjenë. Duke shprehur vullnetin e studentëve të tjerë dhe zgjedhjeve demokratike në Shqipëri, pjesëmarrësit në tubim shprehën solidaritetin dhe mbështetjen për zgjedhje të lira dhe jo të manipuluara në Shqipëri, të rrezikuara plotësisht nga dyshja Berisha-Rama. Mbi 50 firmëtarë kërkojnë ndërhyrjen e OSBE-së në mbrojtje të standardeve evropiane, që kërkohen të cenohen në Shqipëri përmes Kodit të ri Zgjedhor. Sipas këtij peticioni, dy partitë kryesore kanë hartuar një Kod Zgjedhor në dhunim të hapur me principet dhe dokumentet e OSBE-së, siç është Dokumenti i Konferencës së Kopenhagenit. Përmes këtij peticioni kërkohet ndërhyrja e OSBE-së për të ndalur korruptimin politik të politikanëve shqiptarë për shkatërrimin e zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2009, përmes një Kodi i cili nuk siguron një reformë elektorale me hapësira demokratike për të gjitha partitë.