E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ati heqë dorë nga katër djemtë

Shkup - “Nuk i kam më fëmijë, ata kanë borxhe, merren me trafikime të ndryshme, bëjnë një jetë të keqe, ndërsa unë i përkas një jetë tjetër”. Kështu shprehet S. S. nga fshati Haraçinë, i cili ka vendosur që të mos i njohë më si familjarë tre djemtë e tij dhe dy nuset e tyre.

“Po nis prej fillimi një jetë të re, kurse atyre zoti ua dhëntë hairin, ndërsa mua njerëzit të mos më vijnë më e të më trokasin në derë për të larë borxhet e tyre”, thotë ai për gazetwn shqiptare “Lajm” nw Maqedoni, duke treguar dokumentet gjyqësore me të cilat ka heqë dorë nga fëmijët e tij. Ai thotë se ka jetuar në perëndim dhe ku ka punuar është munduar për familjen, por në fund ka mbetur i dëshpëruar nga sjellja e fëmijëve të vet. “Krejt jetojmë dhe punojmë për familjen dhe s’ka prind që nuk i do fëmijët, por kur ti i ushqen me bukë dhe ata ta kthejnë me gur, detyrohesh të veprosh në këtë mënyrë”, thotë ai duke shtuar se për të njëjtat shkaqe para pesë viteve ka hequr dorë edhe nga djali i tij më i madh.

Por çfarë e ka shtyrë këtë njeri që të heqë dorë prej djemve të tij? “Më thonë të na e lëshosh shtëpinë, që e kam ndërtuar me mundin tim. Borxhlinjtë vijnë dhe mi kërkojnë mua paratë që i marrin ata borxh. Tani është mbushur kupa. Që sot nuk dua më të kem asnjë punë me ata, as ti kem në shtëpi dhe as të më thonë merhaba”, thotë ai, duke sqaruar se shtëpinë e ka në Haraçinë, ndërkaq që gjatë kohë ka punuar në perëndim. “Heq dorë prej djemve të mi, pasi nuk më respektojnë, jetojnë në mënyrë të kundërt me principet e moralit dhe traditën, më kërcënojnë me likuidim, sillen në mënyrë të dhunshme duke sulmuar shtëpinë time në Haraçin, ku fizikisht kanë sulmuar bashkëshorten time të re dhe fëmijët e saj që i ka nga kurora e mëparshme dhe atë duke shfrytëzuar armë zjarri”, shkruan ai në deklaratën dorëzuar gjyqit.

Po ashtu për shkak të sjelljes së tyre ai, ia ka hequr djemve të drejtën për trashëgimi dhe të drejtën për të përdorur pasurinë e tij të tundshme dhe të patundshme. “Meqë jetojnë e punojnë jashtë vendit, veçanërisht ia ndaloj qasjen, hyrjen dhe përdorimin e shtëpisë sime. Kjo ndalesë vlen edhe për familjet e tyre (nuset dhe fëmijët)”, shkruan ai në deklaratën dorëzuar gjyqit, ku dhe sqaron se në shtëpinë në Haraçinë jeton me bashkëshorten e re dhe dy fëmijët e saj të vegjël, me të cilën do të lidhë kurorë pas shkurorëzimit me bashkëshorten e mëparshme. “Bashkëshortja ime e re dhe fëmijët e saj janë të vetmit që janë të autorizuar që të jetojnë në shtëpinë time. Po ashtu nuk i pranoj të gjitha borxhet dhe obligimet e bëra në emrin tim nga ana e këtyre të treve”. S. S i ka bërë dhe një kërkesë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ku kërkon që ajo të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e familjes së tij të re dhe të marrë masat e nevojshme për ngjarjen e një shkurtit , ku sipas tij djemtë i kanë hyrë në mënyrë të dhunshme në shtëpinë e tij, ku dhe kanë gjuajtur me armë zjarri dhe në të njëjtën kohë kanë rrahur bashkëshorten e tij dhe fëmijët e saj minoren.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›