Pritet 'valë e re njohjesh për Kosovën'
Tiranë - Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha ka marrë shumë premtime për njohje të reja të Kosovës para përvjetorit të parë të pavarësisë. Përmes një lajmërimi për shtyp, Ministria e Jashtme njofton se së shpejti pritet "valë e re njohjesh për Kosovën". Në Konferencën e Ministerialit të Romës për Reformën e Këshillit të Sigurimit të KB, shefi i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha, gjatë takimeve me shumë homologë të tij ka marrë sinjale për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Takime të veçanta, mes tjerash, Basha zhvilloi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Libisë, Etiopisë, Gabonit, Eritreas, Pakistanit, Jordanisë, Irakut, Argjentinës, Andorës, si dhe zv.ministrat e Punëve të Jashtme të Kinës, dhe Arabisë Saudite. "Marrëdhëniet bilaterale dhe njohja e Kosovës si shtet i pavarur ishin temat kryesore të këtyre takimeve", thuhet në këtë njoftim të MPJSH.