E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e Obamës në Tiranë, spekullim mediatik

Shkup - Burime të larta të Qeverisë së Maqedonisë e vlerësojnë si spekulim informacionin se presidenti i ri amerikan Barak Obama do ta vizitojë Tiranën dhe Zagrebin, në muajin prill. “Sipas të dhënave që kemi, presidenti Obama jo vetëm që nuk do ta vizitojë Tiranën dhe Zagrebin, por nuk është e sigurt as vizita e tij në Pragë, në kryeqytetin e shtetit kryesues me Bashkimin Evropian (BE)”, tha për “Lajm”, një burim i lartë i Qeverisë së Maqedonisë.

Sipas tij, meqë Obama është president i ri, ai është dhe objekt thashethemesh për mediat e ndryshme. Ndërkaq, dy ditë më parë gazeta e Zagrebit “Globus”, shkruante se ka mundësi që presidenti amerikan Barak Obama, gjatë 4-5 prillit ta vizitojë Zagrebin dhe Tiranën, kurse Shkupi me siguri edhe njëherë do të mbetej jashtë agjendës së presidentit amerikan. Sipas burimeve të afërta nga Shtëpia e Bardhë, presidenti i parë amerikan me ngjyrë do ta vizitojë Zagrebin dhe Tiranën, anëtaret e reja të NATO-s, menjëherë pas samitit të Aleancës në Strasburg. Nëse për ndonjë shkak organizativ nuk mund të arrihet realizimi i vizitës së re historike, përfaqësues kroatë dhe shqiptarë, si dhe kryeministrat e dy vendeve, në muajin maj do të marrin ftesë për vizitë në Shtëpinë e Bardhë në takime me Obamën, transmetoi “Jutarnji list”. Shkupi mbeti jashtë agjendës së presidentit amerikan edhe në vitin 2007, kur presidenti Xhorxh Bush fillimisht vizitoi Tiranën, e pas samitit të Bukureshtit edhe Zagrebin. Ngecja e Maqedonisë në integrimin e saj në NATO, sipas të gjitha gjasave, do të prolongojë edhe ardhjen e një presidenti amerikan në Shkup.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›