E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton planin e punës për vitin 2009

Prishtinë - Qeveria ka miratuar Planin e Punës së Qeverisë për vitin 2009. Ky plan është në harmoni me Programin e Punës së Qeverisë 2008-2011, Buxhetin e vitit 2009, Planin e Veprimit të Partneritetit Evropian, Strategjinë Legjislative të viti 2009 si dhe me të gjitha dokumentet tjera strategjike - sektoriale. Kryeministri Hashim Thaçi në këtë rast ka kërkuar nga kabineti qeveritar që të angazhohet në realizimin e objektivave të parapara dhe brenda afateve të përcaktuara në këtë plan.

Në mbledhje është aprovuar kërkesa e Shoqatës së Invalidëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare për rregullimin e protezave për invalidët e luftës. Për këtë qëllim, Qeveria ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 343.510 Euro, për rregullimin e protezave të këmbëve, duarve dhe syve për invalidët e UÇK-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar ndryshimin e vendimit për statusin e oficerëve të sigurimit në Policinë e Kosovës dhe është informuar për nevojën për zgjatjen e orarit të punës për punëtorët e Departamentit të Regjistrimit Civil për shkak të rritjes së kërkesave të qytetarëve për pajisje me dokumentet të identifikimit.

Ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami ka njohur Qeverinë me dorëzimin e mjeteve elektronike për makro valorë në Kosovë nga ana e UNMIK-ut dhe nevojën e mirëmbajtjes dhe mbikëqyrjes së këtyre mjeteve. Është vendosur që të krijohet një Komision ndërministror, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Ram Manaj, që ta trajtoj këtë çështje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›