E Diel, 1 Nëntor 2026

I burgosuri mbante tollonat, u vjedh të dënuarve 10 mijë USD

SHKB nis hetimin për bashkëpunim të 41-vjeçarit me autoritetet e Burgut të Shënkollit

Mashtrimet brenda burgut nga të dënuarit kanë detyruar SHKB-në e Ministrisë së Drejtësisë të nisin një hetim, pasi dyshohet se ka bashkëpunim edhe të zyrtarëve. Bëhet fjalë për një rast në Burgun e Shënkollit në Lezhë, ku një i dënuar, të cilit i kanë mbetur pak më shumë se katër vjet për të mbaruar dënimin, rezulton se u ka të burgosurve të tjerë rreth 10 milionë lekë të vjetra. Ai ishte përgjegjës për mbajtjen e tollonëve të personave të dënuar, të cilët herë pas here porosisnin për të marrë ndonjë gjë nga jashtë burgut. Por, duke i mashtruar, ai ka arritur të përfitojë prej tyre shumën e parave të lartpërmendura, që dyshohet se ka bashkëpunuar me zyrtarët e burgut.
Burimet bënë të ditur se nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë ka filluar një hetim për Burgun e Shënkollit. Sipas të dhënave, të burgosurit janë ankuar në instancat përkatëse se Dashamir Zefi, i dënuar për vrasje në vitin 1991, u ka marrë nëpërmjet mashtrimit para në shuma të ndryshme, që në total arrijnë vlerën rreth 10 milionë lekë të vjetra. Për këtë, të burgosurit kanë hedhur dyshime se ai ka bashkëpunuar me punonjës të burgut, të cilët i jepnin leje për të shkuar në shtëpi, kundrejt përfitimeve personale. Ata kanë treguar për SHKB-në e burgjeve se 41-vjeçari ishte caktuar për të mbajtur tollonat e të dënuarve në burg, pasi nuk u lejohet të mbajnë para. Nëpërmjet tyre, të burgosurit mund të porosisnin jashtë dhe nga autoritetet e burgut bëhej pagesa me paratë e ngrira të personave të dënuar, kundrejt dhënies së tollonit. Kështu, ai ka vepruar për një kohë të gjatë dhe para pak ditësh, Zefi, i cili është nga Shkodra, kishte shkuar me leje në banesë. Madje burimet nga grupi hetimor shpjegojnë se gjatë kohës së lejes ishte takuar edhe me një zyrtar të burgut, i cili është person nën hetim dhe nuk i është publikuar emri. Por, kur është kthyer e ka pritur furtuna. Tashmë SHKB-ja e burgjeve po punon për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe nëse zyrtarët nuk do të kenë konsumuar vepër penale, atëherë çështja do të vijojë vetëm për Dashamir Zefin. Grupi hetimor deklaroi se do të merren në pyetje të dënuarit e dëmtuar dhe më pas do të përcaktohen qartë shkeljet e kryera në Burgun e Shënkollit në Lezhë.
Dashamir Zefi është dënuar me 12 vjet burg për një vrasje në vitin 1991 në Qarkun e Beratit, ku ka qenë ushtar dhe është arrestuar në vitin 2005. Aktualisht atij i kanë mbetur edhe katër vjet burg për të përfunduar dënimin e marrë. Sipas dosjes penale të tij, në qytetin e Poliçanit është vrarë Jetnor Spaho. Nga ana e hetuesisë Skrapar, ka nisur procedimi penal në ngarkim të Dashamir Zefit, i cili në kohën e ngjarjes ka qenë ushtar i Repartit të Sigurimit të Kombinatit Mekanik në Poliçan. Spaho ishte goditur me 11 thika brenda një lokali dhe vdiq rrugës për në spital. Në atë kohë, nga pyetja e dëshmitarëve ka rezultuar se viktima dhe i gjykuari kanë qenë ulur në një lokal, në qytetin e Poliçanit, në shoqërinë e miqve përkatës. Në një moment, pranë banakut viktima dhe autori janë konfliktuar me fjalë dhe sherri është ndërprerë me ndërhyrjen e të pranishmëve në lokal. Pas disa momentesh, mes viktimës, që kishte dalë nga lokali dhe të gjykuarit, ka rinisur sherri, ku janë përfshirë edhe persona të tjerë dhe gjatë konfliktit Spaho ka mbetur i plagosur rëndë. Rrugës për në spital, ai ka ndërruar jetë. Për shumë vite Zefi ka qenë në kërkim, por në vitin 2005 u arrestua dhe u dërgua në qeli për të vuajtur dënimin për veprën penale që kishte kryer në vitin 1991.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›