E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preu dritat, sulmohet me armë elektricisti i OSSH-së

Ngjarja ndodhi në Komunën Gjegjan të Pukës. Autori i krimit arrin të arratiset në pyjet e zonës

Një punonjës i OSSH-së është qëlluar me breshëri automatiku në krye të detyrës në Gjegjan të Rrethit të Pukës. Policia tha se elektricisti është çuar në spital dhe ka kaluar rrezikun për jetën, ndërsa autori i krimit, duke përfituar nga mbërritja me vonesë e policisë në vendngjarje, ka mundur t’i shmanget prangosjes dhe është shpallur në kërkim. Ngjarja në fjalë ka ndodhur pasditen e djeshme, rreth orës 17:30 në Komunën Gjegjan të Pukës, vend ku pak ditë më parë humbën jetën në mënyrë tragjike 14 persona në një aksident rrugor. Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se punonjësi i OSSH-së, Nikollë Përdedaj, ka qenë në krye të detyrës, duke u shkëputur energjinë elektrike debitorëve të zonës, kur është qëlluar papritmas me breshëri automatiku. Elektricisti është qëlluar në këmbë me një plumb. Ai është dërguar në spitalin e Pukës, ku dhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ku ndodhet aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Një nga pistat ku po hetohet në lidhje me ngjarjen është hakmarrja e ndonjë banori të kësaj zone, që ka qenë “viktimë” i aksionit të OSSH-së për ndërprerjen e energjisë elektrike. Ndërkohë, forca të shumta të policisë janë vënë në ndjekje të autorit të ngjarjes, i cili mendohet se është futur në një territor të thellë malor mes Pukës dhe Mirditës. Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është bërë i mundur ndalimi i autorit të ngjarjes, që për pak i mori jetën 40-vjeçarit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›