E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në cisternat e solarit, shmanget rreziku për njerëzit

Fier Një cisternë pesëtonëshe, tre autobote me naftë dhe një veturë u shkrumbuan në pak minuta

Një zjarr i fuqishëm ka rënë mesditën e së martës në një fabrikë që prodhonte serë, në lagjen “Sheq i Madh”, në rrugën hyrëse të qytetit të Fierit. Fatmirësisht, nga zjarri nuk ka pasur të lënduar në njerëz, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e shkaqeve. Zjarri është konstatuar rreth orës 12:00 në një nga depozitat e fabrikës së prodhimit të serës. Konfirmohet se gjuhët e flakës janë parë fillimisht në depozitën pesëtonëshe, e cila ka qenë e mbushur me solar.

Për pak minuta, flakët kanë përfshirë depozitën dhe sipas burimeve nga vendi i ngjarjes ato janë përhapur shumë shpejt. Banorët e lagjeve “Liri”, “Bishanak”, “Kongresi i Përmetit” janë përfshirë nga paniku. Tetë punonjës që ishin në ndërmarrje në momentin e shfaqjes së flakëve, janë larguar me të shpejtë. Fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është lënduar. Drejt vatrës së zjarrit kanë mbërritur fillimisht tre mjete zjarrfikëse të repartit të Fierit, por e kanë pasur të pamundur t’i afroheshin zjarrit. Ndërkohë është kërkuar ndihmë edhe nga kompanitë e naftës “Armo” dhe “Albpetrol”, të cilat kanë vënë në dispozicion mjetet e tyre. Gjashtë zjarrfikëse dhe mbi 20 punonjës të shpëtimit për më tepër se katër orë kanë luftuar për lokalizimin e flakëve, por nuk kanë mundur që ta vënë situatën tërësisht nën kontroll. Si pasojë e zjarrit janë djegur depozita pesëtonëshe e solarit edhe tre autobote që ishin të mbushura me naftë bruto, e prisnin të shkarkoheshin. Po ashtu flakët kanë rrezikuar tre depozita të tjera. Zjarrfikësit janë përpjekur që t’i mbajnë flakët larg këtyre tre depozitave, pasi rreziku do të ishte më i madh. Sipas burimeve policore dhe atyre nga reparti zjarrfikës, mësohet se është djegur edhe një automjet i tipit “Mercedez benz”, që ka qenë i parkuar në sheshin e fabrikës private që prodhonte serë.

Dëmi i këtij zjarri përllogaritet në disa milionë lekë, ndërkohë që dyshohet se shkak ka qenë një luhatje e tensionit të energjisë elektrike. Fabrika e prodhimit të serës nuk ka qenë e siguruar dhe dëmi i kësaj katastrofe, sipas pronarit të saj, shkon në disa dhjetëra milionë lekë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›