Gramsh e Tropojë, kanabis në tokën e askujt
Gjendet dhe sekuestrohet kanabis sativa në tokë pa pronar në Tropojë dhe Gramsh. Në Gramsh parcela me kanabis ka qenë në administrimin e ndërmarrjes së pyjores. Kështu, bashkë me fidanët pyjorë, në një parcelë të Drejtorisë së Pyjeve në qytetin e Gramshit janë gjetur 60 rrënjë kanabis sativa. Po punohet për identifikimin e kapjen e personave që mund t’i kenë mbjellë bimët narkotike në një tokë shtetërore. Ndërkohë, burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës janë gjetur rreth 90 rrënjë kanabis sativa në fshatin Lugu i Zi të Rrethit të Tropojës. Informacioni për një parcelë të mbjellë me kanabis ishte marrë në rrugë operative disa ditë më parë, ndërsa aksioni i policisë ka bërë asgjësimin e bimës së ndaluar, pa arritur të zbulohet kultivuesi i saj. Specialistë të Antidrogës, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit, e kanë pasur të vështirë identifikimin e kultivuesve, pasi parcela e mbjellë me kanabis nuk ka pronar dhe ndodhet mjaft larg qendrave të banuara.
#