E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Shqipëri, i lirë... edhe për të vrarë

Opinion

Le ta lëmë mënjanë vetëm për një çast tragjedinë e Fushë-Arësit dhe 14 viktimat që u shkaktuan atje, mes të cilëve edhe fëmijë. Të kthehemi te krimi me armë për motive që të bëjnë të vësh duart në kokë sapo i dëgjon. E fundit në Tiranë, në mes të lokalit, në sytë e shumë të tjerëve, që pas plazhit kishin menduar të gjerbnin edhe një kafe në lagje. Por “të vjen nga nuk e pret”, thotë populli. Dhe kjo nuk është e thënë ashtu kot. Sepse edhe të dielën në Laprakë, ashtu ndodhi. Të gjithë me kafe e birra përpara panë se me centimetra larg tavolinës, dikush që më parë trokiti gotën me tjetrin, nxori nga brezi një pistoletë (armatosja të kujton filmat me kauboj) dhe e qëlloi atë pa ia bërë syri tërr. Lemerisja është më e pakta që ndodh. Një u vra, ndërsa autori u zhduk në të qindtën e sekondës. Policia, si gjithnjë mbërrin dhe kryen veprimet. Ajo që të çudit dhe të heq “kapakun e kokës” janë motivet e krimit: për banalitet. Epo t’i marrësh tjetrit jetën vetëm për një fjalë goje, kësaj unë nuk di çfarë emri t’i vë? Për fat të keq nuk janë edhe pak krimet e tilla. Janë sa në Korçë e në Tiranë, sa në Shkodër e në Durrës, sa në Elbasan e në Vlorë; domethënë gjithandej dhe sidomos në këtë periudhë. çuditesh kur mëson se në Shkodër, për një vijë uji një i ri vrau fqinjin dhe tani duhet të kalbet në burg; në Vlorë vrasësit kanë paguar qimet e kokës për të qëruar nga kjo botë një biznesmen, me të cilin mendohet se kanë pasur konflikt; në Korçë viktimat ishin në terezinë e tyre pa asnjë sherr të mëparshëm. Epo ec e merre vesh! Të duket jeta e krahasueshme me një cigare, që e djeg në pak minuta dhe më pas mbetet hiri si dëshmitar i asaj që ke bërë. Edhe në Shqipërinë tonë, që ua ka kaluar në rritje ekonomike edhe vendeve ku e ku më të zhvilluara (dhe këtë e deklaron qeveria me bujë) të tilla vrasje ka shumë, që të lënë pa frymë. Që nga janari e tëhu po vritet mesatarisht një njeri në ditë e po plagosen mbi dy, gjë që do të thotë se në një vit janë të destinuar të lënë përfundimisht këtë botë mbi 300 shqiptarë, pa përmendur të plagosurit, të vetëvrarët, të ngujuarit, të vetëhelmuarit me fostoksinë, të burgosurit, të bashkëtherurit me thika, të vetëvarurit nëpër haure, ata që mbyten nëpër plazhe, lumenj, rezervuare a liqene, njerëz të humbur pa nam e nishan, ata që ikin “në drejtim të paditur”, ata që papritur e pakujtuar luajnë mendsh prej halleve, ata që mbjellin kanabis, ata që drogohen, apo edhe ata që arratisen me kuç e me maç dhe ikin nga ky vend i mrekullueshëm dhe demokratik, për të mos u kthyer më kurrë! Falë një politike të re apo të vjetër, ne jemi një vend përnjëmend i lirë, edhe pse ne si popull e kemi humbur dhe nuk po e gjejmë dot rrugën e Europës: pavarësisht nga kjo, gjithkush sot është i lirë të vritet, i lirë të vdesë, i lirë të sëmuret, i lirë të jetë i papunë, n’daç edhe të vetëvritet e të vetëhelmohet, por edhe të vrasë cilindo: fqinjin, gruan, kohën, shansin, votën, nderin, vëllain, fëmijët, njëri-tjetrin, të nesërmen, bashkëjetesën, sigurisht pa përjashtuar as nënën e babanë…
Kjo tregon se jeta e shqiptarit vlen sa një grosh…

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›