E Diel, 1 Nëntor 2026

I çuan ujin qytetit, fshati 2 vjet në etje

TEPELENE - Banorët e fshatit Lekël në Tepelenë vuajnë prej dy vjetësh mungesën e ujit të pijshëm. 

Drama e tyre për mungesën e lëngut jetësor në rubinetet e çezmave të shtëpive fillon atëherë, kur burimi i gurrës së fshatit u prish si pasojë e ndërhyrjes së kryer për të furnizuar me ujë qytetin e Tepelenës. Prej asaj dite e deri më sot, të 100 banorët e këtij fshati malor ndeshen përditë me mungesën e ujit jo vetëm për vaditje, por edhe për të pirë. Një projekt i para tri viteve, hoqi të drejtën e shfrytëzimit të ujit banorëve të këtij fshati, duke u përçuar me tubacion banorëve të qytetit Tepelenë, rreth 13 km në veri të Lekëlit. Banorët nga ana e tyre kanë apeluar dhjetëra herë për këtë gjendje, por deri më tani as komuna, as qarku madje dhe as prefektura, nuk i ka marrë parasysh ankesat. Një prej banorëve të fshatit Panajot Puleri, i cili është njëkohësisht kreu i grupit negociues me qeverisjen lokale për këtë gjendje, thotë se banorët e Lekëlit nuk janë pyetur para tri viteve nëse kanë ujë të mjaftueshëm për veten e tyre apo jo dhe shteti ka vepruar abuzivisht, duke u hequr pasurinë e vetme që natyra u ka dhënë. “Kapaciteti i burimit të ujit të fshatit ka rënë pothuajse 10 herë në krahasim me tri vjet më parë dhe kjo, për faktin se i gjithë uji përcillet për Tepelenën. Banorët e qytetit furnizohen 24 orë me ujë pa ndërprerje, ndërkohë që fshatarët ngarkojnë kafshët me ujë për ta çuar një herë si qëmoti”, shprehet Puleri. Ai shton se shpeshherë kanë shkuar në Gjirokastër për të takuar përfaqësuesin e qeverisë që është prefekti Spiro Ksera, por ai nuk i ka pritur. Banorët njëzëri kanë kërcënuar se nëse qeveria nuk vendos për zgjidhjen e kësaj çështjeje, atëherë do të shkallmohet depoja e ujit që furnizon Tepelenën dhe me këtë rast do të bllokohen tubacionet për përcjelljen e tij.                         p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›