E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dehur terrorizon fshatin me breshëri automatiku

Tepelenë

Tepelenë - Një banor i Rrethit të Tepelenës në gjendje të dehur ka terrorizuar fshatin, duke gjuajtur me breshëri automatiku në ajër, por është ndaluar nga policia. Sipas burimeve zyrtare në policinë lokale, nga ana e specialistëve për Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Tepelenës është bërë arrestimi në flagrancë i 28-vjeçarit Florenc Mahmutaj, banues në fshatin Gallavë të komunës Buz, Tepelenë, i dyshuar se ka konsumuar veprën penale “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

Kanë qenë banorët e këtij fshati, të cilët mesditën e së mërkurës të përfshirë nga paniku kanë kërkuar ndihmën e efektivave të policisë së Tepelenës, pasi një bashkëfshatar i tyre gjuante me breshëri automatiku në ajër. “Nga një shtëpi në periferi të fshatit po qëllohet me automatik në ajër, duke na rrezikuar jetën”, i kanë pohuar policisë banorët e komunës Buz. Me gjithë kushtet e vështira, si shkak i dëborës së rënë në këtë zonë, efektivat e policisë kanë organizuar punën për shmangien e ndonjë situate të rëndë që mund të krijonte përdorimi i armës së zjarrit. “Pasi mbërritëm në zonën e Buzit, ne bëmë rrethimin e fshatit dhe morëm të gjitha masat për të mos lejuar qarkullimin e banorëve të rastit në afërsi të banesës ku ndodhej i dyshuari që vazhdonte të gjuante me automatik në ajër”, thonë efektivat e policisë, pjesëmarrëse në këtë operacion. Policia bëri të mundur kapjen në flagrancë të Florenc Mahmutajt me një armë zjarri tip kallashnikov. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e ti, policia gjeti edhe një sasi të konsiderueshme fishekësh.

B. Shehu

Gjirokastër

Denoncon tutorin, i premtoi

martesë, e çoi prostitutë

E ka detyruar me dhunë të punonte rrugëve të Greqi, por vajza ka mundur të largohet dhe është strehuar te një shtetas grek, i cili e ka ndihmuar të kthehet në shtëpinë e saj në Vlorë

Bledar Shehu

Gjirokastër - Ka përfunduar në mënyrë dramatike ëndrra e një vajze 25-vjeçare nga Vlora për të krijuar familje. Personi i cili i kishte premtuar për martesë, madje i kishte kërkuar edhe dorën në familje, pasi e ka çuar në Greqi, nëpërmjet dhunës fizike e ka detyruar të prostituojë. Pas disa muajsh ferri të vërtetë, vajza është larguar fshehurazi nga Greqia dhe pasi është kthyer në vendlindje, ka denoncuar në polici “burrin” e saj. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme kanë ndaluar 34-vjeçarin Admir Plaku, nga fshati Tapi i Kuçovës, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale “trafikim të femrave me qëllim prostitucionin”.

Gjithçka ka nisur në muajin shtator 2009, kur nëpërmjet telefonit i ndaluari, i cili ka qenë i divorcuar, ka njohur një vajzë nga Vlora me inicialet B. M. Pasi kanë komunikuar disa herë së bashku, djali ka shkuar në shtëpinë e saj për t’i kërkuar dorën për nuse. Pas disa ditësh çifti i të rinjve është larguar në Greqi në mënyrë ilegale, ndërsa vajza ëndërronte të ndërtonte një familje të lumtur. “Pasi mbërritëm në një ishull në Greqi, ai më kërkoi që unë të punoja si prostitutë. Unë nuk pranova kurrsesi dhe më pas për ditë të tëra ai më dhunonte psikologjikisht dhe fizikisht në mënyrë që unë të pranoja”, i ka pohuar policisë 25-vjeçarja. Si shkak i presionit dhe dhunës së vazhdueshme prej muajit shtator 2009 deri në janar 2010, e reja është shfrytëzuar për qëllim prostitucioni nga i ndaluari. “Madje edhe të hollat që fitoja ai i merrte të gjitha”, ka pohuar në denoncimin e saj e reja. Sipas saj, në fund të muajit janar ajo është larguar fshehurazi nga shtëpia ku rrinin, për t’u strehuar te një shtetas grek. “Unë qëndrova në banesën e tij për disa ditë dhe i kërkova ndihmë për t’u kthyer në Shqipëri”, ka vijuar rrëfimin e saj për policinë 25-vjeçarja. Në këto kushte ajo është kthyer në vendlindje dhe në datën 10 shkurt 2010 ka depozituar edhe denoncimin në policinë e Gjirokastrës në lidhje me këtë ngjarje. “Pas marrjes së denoncimit, policia e Gjirokastrës nisi punën investigative për gjetjen e A. Plakut”, thotë zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai. Madje, duket se punën e policisë e ka ndihmuar edhe padurimi i të ndaluarit për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të gjetur vajzën. “Pas largimit të vajzës nga Greqia ai është vendosur në ndjekje të “nuses” dhe ka ardhur në Shqipëri për të marrë dhe për ta çuar sërish në shtetin fqinjë”, thonë burimet policore. Pas marrjes së informacionit për vendndodhjen e tij në Shqipëri, agjentët dhe specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër në bashkëpunim me forcat e policisë së Drejtorisë së Beratit kanë organizuar në fshatin Tapi operacionin për ndalimin e tij. “Ne kishim informacione se i dyshuari strehohej te një i afërmi në këtë fshat, kështu që së bashku me kolegët e Beratit organizuam punën për ndalimin e tij”, thotë një prej agjentëve antitrafikë në policinë e Gjirokastrës. Pas ndalimit të A. Plakut, materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për hetime të mëtejshme.

Përmet

Priste dru zjarri,

zhduket në

Vjosë 17-vjeçari

Përmet - Një i ri nga fshati Peshtan i Rrethit të Përmetit, mbrëmjen e së mërkurës është zhdukur në shtratin e lumit Vjosë, ndërsa priste dru zjarri. Sipas burimeve policore, pasditen e së mërkurës i riu nga Peshtani ishte duke prerë dru zjarri përgjatë shtratit të Vjosës. Në vendin e quajtur Ura e Peshtanit, si shkak i terrenit të rrëshqitshëm dhe shiut atij i ka shkarë këmba dhe ka rënë në Vjosë. Të sinjalizuar nga bashkëfshatarë të 17-vjeçarit, që po prisnin dru, me të menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, të cilat kanë nisur një operacion kërkimi për gjetjen e 17-vjeçarit. Gjatë gjithë mbrëmjes të së mërkurës efektivat e policisë kanë vijuar kërkimet për gjetjen e 17-vjeçarit.

B. Sh.

Krujë

Tentoi të ikte në

Kosovë, kapet

mashtruesja

Krujë - Efektivat e policisë së Krujës kanë vënë në pranga 37-vjeçaren Vjollca Muhaxhiri, e cila ishte shpallur në kërkim për mashtrim. Operacioni për kapjen e saj, i koduar me emrin “Akulli”, është zhvilluar në orën 04:00, në kohën që ajo është identifikuar dhe kapur në rrugën Qafë-Mali-Kukës-Morinë, teksa po tentonte të ikte drejt Kosovës. 37-vjeçarja nga Fieri kërkohej pasi kishte mashtruar në bashkëpunim me shtetas të tjerë. Ajo ishte shpallur në kërkim nga policia e Fierit në datën 8 shkurt të këtij viti, ndërkohë që akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda në bashkëpunim. Për këtë vepër penale Gjykata e Fierit e kishte dënuar me 11 vjet heqje lirie.

A. K.

Durrës

Homazhe për

kolegun e rënë në

krye të detyrës

Durrës - Drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor në Durrës kanë bërë dje paradite homazhe para trupit të punonjësit të policisë rrugore Kastriot Alia. Zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka dhe drejtues i Parë, Hysni Burgaj, së bashku me kolegë të policit të aksidentuar kanë vënë kurora me lule, si dhe kanë ngushëlluar familjarët e Kastriot Alisë. Polici rrugor është aksidentuar nga Afrim Biberi, i cili udhëtonte në autostradë me një mjet tip fuoristradë. Homazhe kanë bërë edhe deputetë, të afërm të familjes dhe pothuajse të gjithë efektivat e drejtorisë së policisë së qarkut Durrës. Alia është përcjellë më pas në varrezat e reja të qytetit të Durrësit.

A. K.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›