E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dehuri “terrorizon” në mesnatë aeroportin

• Hyrja e një personi të armatosur ka terrorizuar mesnatën e djeshme aeroportin e Rinasit.

Ngjarja ka ndodhur një orë pas mesnatës kur 28-vjeçari Besim Zela ka hyrë i armatosur me një automatik “Kallashnikov”, në ambientet e një lokali para aeroportit “Nënë Tereza”. Prania e një personi me armë nën xhup ka shkaktuar alarm te punonjësit e sigurisë së aeroportit, ndërkohë ndërhyrja e policisë ka bërë që ai të vihej nën pranga. Pas shoqërimit në komisariat dhe marrjes në pyetje ka rezultuar se ai ishte i dehur dhe shkak për rrëmujën e krijuar ishte një grindje që ai kishte pasur pak orë më parë me disa fqinj të tij. Pas kësaj kishte konsumuar sasi të mëdha alkooli në një lokal aty pranë dhe më pas në gjendje të dehur kishte marrë automatikun në banesë dhe ishte afruar në zonën e terminalit të aeroportit. Pas kësaj kanë ndërhyrë me të shpejtë policët dhe personeli i sigurisë, duke e neutralizuar dhe pasi i vunë prangat ia dorëzuan policisë së Krujës, e cila ka kompetenca territoriale të zonës.
Ngjarja
Pas prangosjes së tij policia bllokoi edhe armën tip “Kallashnikov” së bashku me fishekët që ky kishte me vete, ndërsa paraprakisht është ngritur ndaj tij akuza “armëmbajtje pa leje”. Nën këtë akuzë ai pritet që paraditen e sotme të përballet në Gjykatën e Krujës me masën e sigurisë “burg pa afat”, ndërkohë vetë i arrestuari ka pohuar se gjithçka e kishte kryer në efektin e alkoolit të shumtë të konsumuar, stimuluar kjo edhe nga shqetësimet e shumta familjare dhe grindjes me fqinjët e tij. Ndërkohë burime policore pohojnë se fillimisht, sapo kishin marrë njoftimin për praninë e një personi të armatosur pranë aeroportit, ishte dyshuar për ndonjë sulm në aeroport, ndërkohë që ishin marrë masa të menjëhershme për sigurimin e pasagjerëve, por më pas ndërhyrja në kohë ka bërë që ai të prangosej, ende pa iu afruar terminalit të pasagjerëve. Burime policore bëjnë të ditur se, fillimisht atij i ishte marrë arma që kishte me vete.
Arrestimi
Dëshmitarët pohojnë se, ai në momentin kur hyri në lokal armën e kishte fshehur poshtë xhupit të tij dhe pasi kanë kaluar disa minuta është vënë re nga personat që ndodheshin aty. Kjo ka bërë që të shkaktohej frikë, ndërsa ishte lajmëruar policia. Sipas tyre ai ndodhej në pritje të dikujt, ndërsa konsumonte pije alkoolike. Në momentin e arrestimit ai nuk ka dhënë shpjegime të qarta pasi ndodhej në gjendje të dehur, kurse më pas kur ndodhej në komisariat është pyetur dhe ka shpjeguar se pak kohë më parë ishte grindur me fqinjin të tij, ndërsa edhe me familjarët nuk i kishte marrëdhëniet e mira, pasi grindej herë pas here. fa.ma./fi.gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›