E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rruga e vjetër” prangos 7 vetë për trafik

• Pas 6 muajsh hetimesh goditet një grup prej 7 personash të përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

 Policia e Vlorës ka bërë dje të ditur, se rrjeti mundësonte mbledhjen e klandestinëve nga veriu e Shqipëria e Mesme, e më pas nga Saranda bëhej kalimi i tyre në shtetin fqinj, Greqi.
“Rruga e vjetër” është emri i koduar i operacionit që çoi në pranga 5 banorë të Vlorës, një të Sarandës e një tjetër nga Delvina, mes të cilëve një 17-vjeçar. Nga hetimet, të cilat morën shkas nga dëshmitë e klandestinëve të riatdhesuar nga policia greke, si dhe më pas përgjimet telefonike u arrit të mësoheshin emrat e grupit të trafikut. Ata vepronin në 3 linja, njëra prej të cilave niste në Kukës, e dyta në Lushnjë dhe e treta në Elbasan, të gjitha me përfundim skajin më jugor të vendit. Për çdo klandestin shuma që paguhej për t’u përcjellë në mënyrë ilegale në Greqi ishte 2 mijë euro, por një pjesë e të trafikuarve ka mundur të depërtojë në tokën greke apo në vendet e tjera të BE-së, pasi pjesa më e madhe janë ndaluar nga policia vendase ose ajo helene. Pas identifikimit të personave, që sipas policisë kanë krijuar një grup kriminal është proceduar me arrestimin e tyre. Aksioni ka nisur që në orët e mbrëmjes së të shtunës, nga e gjithë Drejtoria e Policisë, e cila përfshiu komisariatet e Vlorës, Sarandës e Delvinës, për të përfunduar mëngjesin e djeshëm. Besmir Shanaj, 21 vjeç, Sotir Veshi, 26 vjeç, Vendim Begaj, 18 vjeç, A. Memaj, 17 vjeç, Sofokli Imeri 25 vjeç, Bilal Boçi, 42 vjeç dhe Ardian Beqiri, 38 vjeç janë personat e arrestuar. Ndaj tyre është vendosur masa e arrestit, me vendim të Prokurorisë së Rrethit të Vlorës e më pas gjykatës që më 28 mars, për t’u finalizuar vetëm dje. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës telefonat celularë të tyre dhe dy automjete që përdoreshin për këtë trafik, një furgon me targa taksie si dhe një fuoristradë. Të prangosurit u dërguan në dhomat e paraburgimit ku do të gjykohen për trafik klandestinësh dhe njëkohësisht për organizim grupi kriminal. Për grupin hetimor të marrë me çështjen e trafikut, provat e mbledhura gjatë 6 muajve dhe përgjimi i telefonatave të protagonistëve kanë treguar skemën e funksionimit. Veç personave të arrestuar në këtë grup dyshohet se ka të tjerë të implikuar, nga qytetet ku mblidheshin klandestinët. Roli i tyre ka qenë grumbullimi i të interesuarve për të kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë, e vetëm pas krijimit të grupit ndërhynin të arrestuarit nga Vlora. Ndihma e shtetasve nga Delvina dhe Saranda mundësonte transportin e tyre deri në të dalë të territorit shqiptar. Arrestimi i 7 personave pritet që të çojë në emra të tjerë të implikuar, për të shtuar listën e operacionit “Rruga e vjetër”.

2 mije
euro, sipas policisë, është shuma që paguante secili nga klandestinët e interesuar për të kaluar në Greqi, grupit të trafikut të arrestuar dje në operacionin “Rruga e vjetër”

7 persona
pesë nga Vlora, një nga Saranda e një nga Delvina janë prangosur dje pas 6 muajsh hetimi nga policia e Prokuroria e Vlorës, me akuzën e “trafikut të qenieve njerëzore” dhe “grupit kriminal”

Akset e klandestinëve

1 - Kukës-Shkodër-Tiranë-Fier-Vlorë-Sarandë-Greqi

2 - Lushnjë-Fier-Patos-Gjirokastër-Sarandë-Greqi

3 - Elbasan-Peqin-Rrogozhinë-Fier-Vlorë-Sarandë-Greqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›