E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Krerët e shtetit kanë fotokopjuar dosje

Lidershipi i Partisë Demokratike i ka parë dosjet e spiunëve për të gjithë nivelet e dyta dhe të treta që emëroheshin në administratë në vitet '95-'96. 

Këtë e bëri të ditur dje, ish- anëtari i Partisë Demokratike, tani kryetar i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Në një prononcim për mediat, kreu i PDK-së tha se, gjatë qeverisjes së parë të PD-së ekzistonte një rrjet që kalonte në 'sitë' çdo zyrtar të niveleve të larta. Ndërkohë që sipas tij, kjo nuk u shtri në lidershipin e PD-së, ku dosjet u fotokopjuan për t'u përdorur për shantazh dhe presion. "Degët e partive dërgonin emrat dhe ekzistonte një rrjet kontrolli, pra një grafi e tyre dhe çdo njeri vihej me shenjë, për t'u parë me konsideratë, për t'u spostuar nga organet drejtuese. Besoj se ishte gjëja më e mirë që Partia Demokratike bëri në atë kohë në radhët drejtuese. Kjo u shtri në nivelet e dyta dhe të treta, por nuk u pasua në lidershipin dhe në drejtuesit e Partisë Demokratike, në anëtarët e Këshillit Kombëtar, deputetët në atë kohë dhe ky është problemi", theksoi Ndoka. Sipas tij, "drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar kanë informacion për dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit. Pra, i njohin ato bashkëpunëtorë, i njohin pseudonimet e tyre, i kanë fotokopjuar dosjet e tyre dhe në çdo moment i kanë si prova për të ushtruar presion, për t'i bërë ata që të binden". Sipas kreut të PDK-së, njëherësh ministër i Shëndetësisë në kabinetin qeveritar, informacionin për dosjet e kanë shumë persona, që nga ish-ministra të brendshëm, ish-kryeministra dhe ish-drejtues të SHISH. "Pra, është një numër i konsiderueshëm njerëzish që kanë informacione për këto dosje. Një numër i konsiderueshëm personash, të cilët i kanë tashmë edhe në formën elektronike, të ruajtura, pavarësisht se i kanë marrë në kundërshtim me rregullat dhe Arkivat e Shtetit, por kanë shfrytëzuar postin e tyre zyrtar", u shpreh Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›