Ngjarja në Himarë, gjykata lë në qeli 6 të ndaluarit
VLORË - Gjykata e Vlorës dha masën burg pa afat për shtetasin Ilir Muka, i akuzuar si autori kryesor i aksidentit të pak ditëve më parë në Himarë, ku mbeti i vdekur shtetasi Aristotel Guma. Veç masës së sigurisë për të riun Muka, Gjykata e Vlorës dha masën edhe për 6 të rinjtë e tjerë të ndaluar, të dyshuar për përfshirje në aksident. Gjashtë bashkëmoshatarët e tij kërkuan lirinë përballë garancive pasurore që kishin vendosur prindërit e tyre, por vetëm dy mundën të merrnin lirinë. 20-vjeçari vlonjat Muka, i cili, sikurse shokët e tij, kishte në dosjen e tij të përgatitur nga prokuroria cilësimin “i padënuar më parë”, foli para gjykatës duke shprehur pendesë. Ai i tha gjykatës se ngjarja e Himarës nuk ishte aspak politike dhe se gjithçka ka ndodhur katër ditë më parë nuk është gjë tjetër veçse një aksident. Gjykata dhe prokuroria nuk morën parasysh asnjë rrethanë lehtësuese për të riun, megjithëse ai u vetëdorëzua një ditë më parë në Komisariatin e Vlorës.
Seanca
Trupi gjykues i Gjykatës së rrethit të Vlorës vendosi gjatë ditës së djeshme masën e sigurisë "arrest në burg pa afat" për dy nga 7 të rinjtë e përfshirë në aksidentin me pasojë vdekjen e 35-vjeçarit Aristotel Guma, në Himarë, ndërkohë që për 5 të tjerët masat ishin respektivisht "burg me afat" dhe garanci pasurore. Në seancën e vlerësimit dhe të caktimit të masës së sigurisë, gjykatësi Fuat Muka shqyrtoi në tërësi provat që kishte paraqitur organi i akuzës në ngarkim të 7 të pandehurve. Në përfundim ai vendosi masën e sigurisë "arrest në burg pa afat" për 20-vjeçarin Ilir Muka, i cili u dorëzua një ditë më parë dhe bashkëmoshatarin e tij, Endrit Salata, të cilët akuzohen për veprën penale të vrasjes me dashje. Gjyqtari i çështjes vendosi masën e sigurisë "me burg me afat" për të rinjtë Aleksandër Gjoka, Bledar Meminaj, Andi Kotorri e Juxhin Mustafaraj, të cilët akuzohen për bashkëpunim, si dhe garanci pasurore prej 600 mijë lekësh për të rinjtë Dijon Bushi dhe Fabjon Jahaj, të cilët akuzohen për veprën e dhënies së ndihmës.
Dëshmitë
Në seancë, i riu Ilir Muka shfaqi pendesë për ngjarjen, ndërkohë që deklaroi se bëhet fjalë për një aksident jo të qëllimshëm. Gjithashtu dhe shokët e tij kanë deklaruar se aksidenti nuk ishte i qëllimshëm. Ndërkaq, Prokuroria e Vlorës ka dhënë pretencën për ngjarjen. Prokuroria kërkoi masën “arrest me burg” për Ilir Mukën, nga 1 muaj burg për 3 bashkëpunëtorët e tij dhe për dy nga të ndaluarit 5 milionë lekë gjobë.
Vendimet e dhëna
Ilir Muka, “arrest me burg”
Endri Salati, “arrest me burg”
Aleksandër Gjoka, 20 ditë burg
Bledar Meminaj, 20 ditë burg
Andi Kotori, 20 ditë burg
Juxhin Mustafaraj, 15 ditë burg
Dijon Bushi, 1 milion lekë garanci
Fabjon Jahaj, 1 milion lekë garanci
Vetëdorëzimi
Ilir Muka, i akuzuari kryesor për ngjarjen në Himarë, u vetëdorëzua të dielën në Policinë e Vlorës. Aksidenti i qëllimshëm në Himarë ndodhi mbrëmjen e së enjtes, në periferi të Himarës. Muka akuzohet se ka përplasur me makinë 35-vjeçarin Aristotel Guma, i cili mbeti i vdekur. Ilir Muka fshihej në Tiranë pas ngjarjes. Të gjitha negociatat dhe bindja e djalit për t’u dorëzuar janë bërë nga babai i tij, Halo Muka, i cili ka qenë edhe vetë i pranishëm në momentin e prangosjes së të birit dhe e ka shoqëruar dërgimin e tij nga Tirana në Vlorë.
Shpërblimi 20 mijë dollarë
HIMARË - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, deklaroi tri ditë më parë se Policia shqiptare ka vendosur një shpërblim prej 20 mijë dollarësh për arrestimin e autorit të vrasjes së 35-vjeçarit Aristotel Guma. Kreu i Policisë ishte në Drejtorinë e Policisë së Vlorës dhe më pas ka marrë takim edhe në Rajonin e Policisë së Himarës me grupin e oficerëve që po heton ngjarjen. Gjatë qëndrimit në Vlorë dhe në Himarë, kreu i Policisë shqiptare, Hysni Burgaj, u kërkoi vartësve hetimin e plotë të ngjarjes, ndërsa njoftoi se Policia e Shtetit ka vendosur një shumë shpërblimi prej 20 mijë dollarësh amerikanë për personat që informojnë lidhur me vendndodhjen e autorit të ngjarjes Ilir Muka dhe që ndihmojnë në arrestimin e tij.
Deklarata e babait të Ilir Mukës
VLORË - "Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët. I shqetësuar marr vesh se djali i traumatizuar më flet duke thënë se ‘pa dashje, në rrugë kam shtypur një kalimtar, të cilin nuk e njihja dhe me të cilin nuk kam pasur asnjë konfidencë me të, prandaj mos më pyesni më tepër sepse jam tepër i shqetësuar’", - tha babai i personit të dyshuar si autori kryesor i kësaj ngjarjeje. Duke kërkuar që Iliri të dënohet vetëm për atë që ka bërë realisht, babai i tij theksoi se nuk donte dënim politik. Ndër të tjera i bëri thirrje kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, të mos përdorë këtë fatkeqësi për qëllime të tijat, të mos bëjë kurban djalin e tij. "Djali ishte i traumatizuar, nuk erdhi në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Ngjarja u politizua. Ai ishte një aksident i ndodhur në rrugë. Jemi të gjithë shqiptarë dhe nuk ka vend për diferenca etnike. I bëj thirrje Bollanos të mos e politizojë fatkeqësinë që ndodhi në rrugë. Djali është një 20-vjeçar që nuk e njeh politikën, nuk i njeh dialektet dhe nuk njeh urrejtjen etnike. U lutem qarqeve politike të mos e politizojnë ngjarjen për të bërë kurban një 20-vjeçar", - tha Halo Muka.
Punonjësit minoritarë bojkotojnë zyrat për një orë
GJIROKASTËR - Punonjësit e administratës së pushtetit vendor në Jug të vendit, që janë fituar nga PBDNJ-ja dhe administrohen nga përfaqësues të minoritetit grek, i janë përgjigjur thirrjes së kreut të kësaj partie, Vangjel Dule, për pezullimin për një orë të të gjithë aktivitetit administrativ në shenjë proteste për vrasjen e himarjotit Guma. Protesta u organizua në nderim të kujtimit të të ndjerit Aristotel Guma, që humbi jetën tri ditë më parë në Himarë, pas një aksidenti të qëllimshëm rrugor. Puna është pezulluar në komunat Dropull i Poshtëm, Dropull i Sipërm dhe Pogoni. Siç ishte njoftuar, nga ora 10:00 deri në 11:00, administrata lokale pezulloi aktivitetin e saj me qëllim sensibilizimin e të gjitha strukturave kompetente “për zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të këtij krimi të paprecedent”, e cilësoi dje kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Në Dropullin e Poshtëm, pezullimi i punës i punonjësve të zyrës civile ka shkaktuar radhë të gjata të qytetarëve, të cilët kërkojnë aplikimin për pasaporta biometrike. Në deklaratën e djeshme Dule tha se “i kërkojmë qeverisë dhe organeve të drejtësisë që në procesin delikat të zbardhet krimi monstruoz, si dhe të ristrukturojë urgjentisht Komisariatin e Himarës. Ministria e Brendshme të rikonstruktojë organet e rendit në Himarë, të cilat, në vazhdimësi kanë manifestuar tolerancë të papranueshme ndaj elementeve me sjellje provokative ndaj identitetit, gjuhës dhe traditave të pjesëtarëve të minoritetit grek, që kanë pasur për pasojë incidentet të rënda dhe kriminale që kulmuan në zgjedhjet vendore 2000, 2003, 2007”.
Ngjarja e mbrëmjes së të enjtes
HIMARË - Policia e Shtetit zbardhi ngjarjen e ndodhur në Himarë ditën e enjte të javës së kaluar. “Rreth orës 22:00, Aleksandër Gjokaj, Bledar Meminaj, Andi Kotorri dhe Juxhin Mustafaraj, teksa udhëtonin me një mjet tip "Audi" me ngjyrë gri, me targa të shtetit anglez, me drejtues mjeti Ilir Mukën, në aksin rrugor Himarë (Qytet)- Himarë (fshat), pas një debati me fjalë për motive banale me Aristotel Gumën, banor i fshatit Himarë, i cili po udhëtonte me motoçikletë në të njëjtën rrugë, në vendin e quajtur "Avli", e kanë goditur atë me automjetin e tyre, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje ata janë larguar dhe janë fshehur në vendin e quajtur “Përroi i Vishës”, ku i kanë telefonuar tre shokëve të tyre, Endrit Salataj, Dijon Bushi dhe Fabjon Jahaj, të cilët udhëtonin pas tyre me automjetin me targa VL 8312 C, në momentin e ngjarjes. Këta të tre persona, kanë marrë Ilir Mukajn dhe janë larguar për në drejtim te Jalës me qëllim fshehjen e tij”, - deklaroi Policia e Shtetit.
17 Gusht 2010