I derguari i KB dhe Liges Arabe per Sirine takohet me Ban Ki Mun
I dërguari i ri i Kombeve të Bashkuara dhe i Ligës Arabe për Sirinë, Lakdar Brahimi, ka takuar në Nju Jork sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun. Vizita e diplomatit algjerian ka qenë paraqitja e parë publike e tij që kur ka pranuar detyrën për të negociuar fundin e luftës civile në Siri. Brahimi ka thënë se “udhëzuesi i parë” i misionit të tij do të jetë populli sirian. Ai ka thënë se paraardhësi i tij, Kofi Anan, ka dështuar në këtë mision, sepse “komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë mbështetës sa do të duhej të ishte”. I dërguari i ri i OKB-së dhe i Ligës Arabe Lakdar Brahimi tha se ishte i “frikësuar” me barrën e madhë për t'i dhënë fund konfliktit në Siri, njofton AFP. Ish-ministri i Jashtëm algjerian i bëri këto komente ndërsa filloi takimet me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun dhe zyrtarë tjerë të lartë të OKB-së, para se ta marrë detyrën zyrtarisht më 1 shtator. “Kur më thirrët, thashë se jam i nderuar, i kënaqur, i përulur dhe i frikësuar. Ende kam këtë në mendje”, i ka thënë Brahimi sekretarit Ban para takimit të tyre në selinë e OKB-së në Nju Jork. Ai ka premtuar se do të japë maksimumin në këtë detyrë, duke shtuar se i njeh disa njerëz në Siri dhe në rajon. Brahimi ka qenë i dërguar i Ligës Arabe në arritjen e marrëveshjes së vitit 1989 që i dha fund luftës civile në Liban.