E Diel, 1 Nëntor 2026

I dërguari i OKB-së, 29 pyetje për ekzekutimet pa gjyq në Shqipëri

Autori i Lajmit: Redaksia
Philip Alston, raportuesi i posaçëm i komisionit të OKB-së, i cili ka mbërritur me këtë mision në vendin tonë që prej të hënës dhe do të qëndrojë deri në 23 shkurt, kërkon informacionet nga institucionet shqiptare për 29 pyetje.
Pyetjet janë pjesë e një formulari, me të cilin është pajisur Alston dhe mësohet se disa nga pikat janë vrasjet më të bujshme në Shqipëri pa harruar dhe fenomenet shekullore që karakterizojnë vendin tonë, siç janë vrasjet nga gjakmarrja.
Informacioni që kërkon OKB
Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkon nga Shqipëria informacion të detajuar për pesë vitet e fundit se çfarë kanë arritur të bëjnë institucionet për të ulur numrin e vrasjeve, për të goditur krimin e organizuar, korrupsionin, trafiqet deri edhe ndikimin që kanë patur tek fenomeni i gjakmarrjes. Në lidhje me hetimet e çështjeve më të rëndësishme, komisioni kërkon të tregohen hapat e ndërmarrë për të hetuar shpërthimin në mars 2008 të municioneve në Gërdec. Madje, pyetësori thekson se kërkohet infomacion për reformat e zbatuara për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
Vdekja e Kosta Trebickës
Por, një vend të rëndësishëm në pikat e formularit duket se zë edhe vdekja misterioze e biznesmenit Kosta Trebicka. Informacione kërkohen edhe për gjyqin në lidhje me zhdukjen e dyshuar me forcë të Remzi Hoxhës, shpjegime mbi dyshimet se Shërbimi Sekret Shqiptar ishte përfshirë në ngjarjet e dyshuara të qershorit 1999 dhe se UCK shfrytëzonte objektet e paraburgimit në Shqipëri. Vëmendje e posaçme u kushtohet shifrave për numrin e vrasjeve për çdo vit në vendin tonë, fenomenit të gjakmarrjes, numrit të familjeve të prekura, si dhe një kopje e çdo raporti të qeverisë ose informacione të tjera për shkaqet dhe pasojat e vrasjeve nga gjakmarrja. Po ashtu një pyetje më vete në këtë pikë është edhe përpjekja për ti trajtuar çështjet e pronës dhe mosmarrëveshjeve për tokën si motivuese për fenomenin e gjakmarrjes. Të dërguarit të posaçëm, Alson i duhet të marrë gjithashtu shpjegime mbi vrasjet nga grupet e krimit të organizuar dhe masat që janë marrë për të trajtuar këtë grup krimesh. Dhuna ndaj gruas, vrasjet për nder apo vrasjet nga dhuna në familje janë një pikë tjetër që kërkon përgjigje. Në lidhje me korrupsionin kërkohen të dhëna për policët e përfshirë në të, prokurorët, gjyqtarët apo zyrtarë të tjerë të ndjekur penalisht për këtë vepër penale. Formulari ka si pyetje të fundit çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve, mbi programin numrin e njerëzve që mbrohen nga Drejtësia dhe pengesat që dalin për ti mbrojtur ata.

Ky lajm është publikuar: 17/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›